Osmani sfidë Mustafës dhe Thaçit: Ju kanë mundur dhe do të ju mundin përsëri me vota

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, tani pa parti politike që të përfaqësoj në parlamentin kosovar fajësoi dha akuzoi përsëri kryetarin e partisë së saj Isa Mustafën për Asociacionin, së bashku me presidentin e Kosovës Hashim Thaçin. Edhe për të pati porosi dhe sfidë se sipas saj ka kush e mund me vota.

Në intervistën për portalin kosovar Telegrafi Vjosa Osmani përsëriti qëndrimin e saj të zakonshëm anti Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi duke i fajësuar për të gjitha. Sipas Osmanit, fajtor për marrëveshjen e Asociacionit janë presidenti aktual Hashim Thaçi dhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa. Ajo e quan gabim shumë të madh që në vitin 2015 deputetët e LDK’së e votuan këtë marrëveshje në Kuvend.

“Në vitin 2013 kur Thaçi e nënshkroi marrëveshjen e cila u ratifikua në Kuvend, ai kurrë nuk do të mund ti bënte 2/3 që duheshin për ratifikim sikur LDK-ja mos t’i ndihmonte. Unë atëherë kam qenë e vetmja nga LDK-ja që kam votuar kundër, dhe sikur edhe të tjerët ta besonin vlerësimin që pe japin tash pas shtatë vitesh se ka qenë e dëmshme ajo marrëveshje e nënshkruar nga Thaçi atëherë Thaçi kurrë nuk do të arrinte ta bënte atë marrëveshje të obligueshme sepse nuk do t’i merrte votat për ratifikim. Ka qenë gabim i madh që deputetët e LDK-së në atë kohë e kanë përkrahur një marrëveshje të tillë”, u shpreh Osmani.

Osmani shtoi se Thaçi e Mustafa kanë qenë bashkë atëherë dhe vazhdojnë të jenë bashkë edhe sot. “Në vitin 2013 bashkë, 2015 bashkë edhe 2020 bashkë janë, po flas për z.Thaçi në veçanti ai e dinë shumë që kanë e qenë bashkë atëherë janë bashkë tash, kanë qenë bashkë në këto nënshkrime që i kanë ndërmarrë. E në anën tjetër del e akuzon familjen time e quan tradhtare”, tha Osmani.

Ajo madje pati edhe një porosi për presidentin Thaçi, duke thënë se ka njerëz që e kanë mundur edhe mund ta mundin me vota. “Thaçi, duhet ta dijë një gjë shumë mirë që ka njerëz në Kosovë që e kanë mundur dhe e mundin me vota kurdo që don ai me dalë në zgjedhje. Janë dy njerëz, i ndjeri Rugova dhe pastaj në zgjedhjet e fundit Albin Kurti dhe Vjosa Osmani”, tha Osmani.

Kryeparlamentarja shtoi se ka edhe njerëz të atillë që mposhtjen e Thaçit e shohin përmes Gjykatës Speciale. “Po ka njerëz që mendojnë që pavarësisht që shtiren si bashkëpunëtorë të tij që e mendojnë që me e mposhtë vetëm tu e pa tu e marr Gjykata Speciale. Pra ai duhet me ditë këtë punë që ata që i akuzon për tradhti nuk gëzohen nëse ka ndonjë vendim të Gjykatës Speciale sepse kurdo e kudo e kemi lanë dhe e lajmë mbrapa me vota. Duhet me pas kujdes me deklaratat e tij se kënd e akuzon”, u shpreh Osmani.

Osmani shtoi se vijat e kuqe për Asociacionin i ka sqaruar Gjykata Kushtetuese dhe porositi Kryeministrin Avdullah Hoti që ai s’ka për çka të mundohet pasi kushtetuesja e ka përfunduar çështjen e Asociacionit sipas saj. “Asociacioni ka qenë i dëmshëm si ide në vitin 2013, ka qenë i dëmshëm si ide dhe në vitin 2015, por fati është që vendimi i Gjykatës Kushtetuese eliminon çdo mundësi që ky trup të ketë kompetenca ekzekutive. Nuk mundet me qenë edhe marrëveshja e vitit 2015 dhe Kushtetua e Kosovës, sepse Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar këtë marrëveshje. Nëse Hoti nuk e kupton këtë gjë kaq bazike nuk duhet të niset kurrë më për në Bruksel”, tha Osmani.