Pas bisedimeve të djeshme me Ukrainën, Rusia tha se do të reduktonte operacionet e saj ushtarake rreth kryeqytetit dhe qytetit verior të Chernihiv.

Rusia duket se i ka ulur ambiciet e saj, duke pretenduar se ka “përmbushur përgjithësisht” qëllimet e fazës së parë të pushtimit, të cilën ajo e përcaktoi si reduktim të konsiderueshëm të potencialit luftarak të Ukrainës.

Por, lufta vazhdon në lindje dhe në jug, ku forcat ruse po përpiqen të krijojnë një korridor tokësor përgjatë bregut jugor, në lindje nga Krimea deri në kufirin rus, raporton BBC.

Një muaj pas pushtimit, Rusia deklaroi se qëllimi i saj kryesor ishte “çlirimi i Donbasit” – duke iu referuar gjerësisht rajoneve lindore të Ukrainës, Luhansk dhe Donetsk. Por, përtej synimeve të tij ushtarake, kërkesa më e gjerë e presidentit rus, Vladimir Putin, është të sigurojë neutralitetin e ardhshëm të Ukrainës. Ukrainasit e kanë ofruar këtë në këmbim të garancive të sigurisë nga aleatët, si pjesë e një plani të gjerë paqeje të paraqitur në bisedimet në Turqi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here