Sir Howard Morrison, gjykatësi britanik i cili e ka dënuar kasapin serb, Radovan Karaxhiq me burgim të përjetshëm për krime lufte, është caktuar ta këshillojë Ukrainën dhe qeverinë britanike për hetimin dhe ndjekjen penale të Vladimir Putinit dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Prokurorja e përgjithshme e Britanisë së Madhe, Suella Braverman, ka njoftuar se e ka emëruar Sir Howard Morrison për të ndihmuar në ndjekjen penale të krimeve të luftës në Ukrainë dhe në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, shkruan “The Telegraph”.
Për një dekadë Morrison ishte gjykatës në Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Hagë për krimet në ish-Jugosllavi dhe ka kryesuar gjyqin e ish-liderit serb të Bosnjës, i cili ka rezultuar me dënim të përjetshëm.
Angazhimi i Morrisonit vjen pasi forcat ruse vazhdojnë të akuzohen për shkelje të ligjit ndërkombëtar duke synuar civilët gjatë luftës në Ukrainë.
“Mund të duket e paimagjinueshme që kriminelët rusë të luftës mund të jenë një ditë në bankën e të akuzuarve. Nuk kam dyshim se ishte e paimagjinueshme si për Karaxhiqin ashtu edhe për mbështetësit e tij. Dhe sot ai është pas grilave, duke vuajtur dënimin në një burg britanik”, ka thënë Braverman.
Britania e Madhe ka ofruar gjithashtu 1 milion paund në mbështetje të Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe do të sigurojë hetues nga Njësia e Krimeve të Luftës dhe Inteligjencës Ushtarake të Scotland Yard.