Gjatë ditës së mërkurë, në kryeqytetin amerikan Washington D.C., po mbahet ceremonia përkujtimore e jetës dhe veprës së Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeleine Albright.

Në ceremoninë përkujtimore, presidenti Bill Clinton, ka kujtuar një nga momentet më të mira me Sekretaren Albright kur vizituan Kosovën në vitin 2019 për të shënuar 20 vjetorin e çlirimit të cilin e përshkroi si festim të fitores së Kosovës dhe ShBA-së.

“Po e kujtoja kohën kur së bashku me Sekretaren Albright udhëtuam në Kosovë para tre vjetëve kur po festohej 20 vjetori i fitores së tyre dhe tonës, në parandalimin e spastrimit etnik dhe vet ekzistencës së Kosovës”, tha presidenti Clinton.

Presidenti Clinton tregoi edhe për bustin që Kosova ia ngriti Sekretares Albright në nderim të kontributit të saj për çlirimin e Kosovës.

“Ne ecëm rrugëve të Prishtinës, me zyrtarët kosovarë dhe ndaluam në një bulevard ku edhe e kishin ngritur një bust të bukur si dedikim për Sekretaren Albright për punën që ka bërë atje. Jam shumë krenar për jetën që e ka jetuar dhe jam falënderues që unë dhe Hillary kemi qenë miq me të”, tha Clinton.

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, ka vdekur më 23 mars të këtij viti, në moshën 84-vjeçare.

Ajo vdiq nga kanceri, u bë e ditur në një njoftim të publikuar nga familja Albright në rrjetin social Twitter.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here