Presidenti i Malit të Zi, Milo Djukanoviq, tha se kryeministri Dritan Abazoviq “do të gjykohet nga votuesit, gjykatat dhe historia” nëse ai ndjek një politikë që është kundër interesave të Malit të Zi.

Gjukanoviq ka thënë për portalin “Vojvodina Autonomija” se Malit të Zi i është dhënë mundësia për të përparuar në procesin e negociatave me Bashkimin Europian dhe ka shtuar se ky shans është edhe një rrugë drejt anëtarësimit në BE, shkruan Al Jazeera.

“Është logjike që Mali i Zi të jetë anëtari i parë i ardhshëm i BE-së, sepse në rrjedhën aktuale të negociatave është shumë më përpara se të gjitha vendet kandidate. Përveç kësaj, nuk ka dyshime gjeopolitike, sepse ka harmonizuar politikën e jashtme dhe të sigurisë me BE-në për disa vite”, tha Gjukanoviq.

Ai foli edhe për marrëveshjen që Abazoviq e nënshkroi me Kishën Serbe, duke thënë se Serbia “mori një dhuratë nga ëndrrat e tyre historike” nga kryeministri i Malit të Zi, përcjell Express.

“Cilido qoftë motivi për këtë, asnjë organ shtetëror apo individ nuk do të mund të shmangë përgjegjësinë historike”, tha Gjukanoviq.

“Dhe më lejoni të përsëris – Qeveria e Malit të Zi po përpiqet të legjitimojë gjithë këtë shkatërrim të Malit të Zi”, shtoi presidenti malazez.

Gjukanoviq e cilësoi projektin e “Ballkanit të Hapur” si “shumë konstrovers”, sepse tha se është skenar alternativ për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor jashtë Bashkimit Europian.

“Ne nuk kemi nevojë për këtë, ne kemi nevojë për anëtarësim në BE”, tha ai.

“Ata që nuk e shohin rajonin tonë në Europë, nuk shohin as demokraci multietnike në Ballkan. Atyre u pëlqen ideja e ndryshimeve të kufijve, homogjenizimi etnik dhe fetar brenda shteteve të zgjeruara. Si zakonisht, çdo gjë nis tradicionalisht nga pala serbe, kësaj radhe ‘bota serbe’. Dhe kjo vazhdon automatikisht me të njëjtët zullumqarë të shtetit të madh”, tha Gjukanoviq.

Ai vlerësoi se qëllimi i autorëve të idesë së “Ballkanit të Hapur” është zhdukja e Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut dhe shtoi se sigurisht që do të përfundonte me “luftë dhe gjenocid”.

I pyetur për të komentuar deklaratën e kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i cili pas vizitës së tij në Beograd deklaroi se me atë “vizitë historike” arriti t’i “rivendos” marrëdhëniet mes dy vendeve, Gjukanoviq pyeti “nëse një mund t’i rivendosë marrëdhëniet e kontaminuara për gati dy shekuj”.

Ai tha se Serbia ka pasur një “rol hegjemonik” në Ballkanin Perëndimor për dy shekuj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here