Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të shtetit për t’u përballur si qytetar i thjeshtë me akuzat për krime lufte.

Aktakuza kundër tij është ngritur nga prokurorë ndërkombëtarë, me seli në Hagë, por që punojnë me ligjet e Kosovës.

Por për çfarë akuzohet Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e ish-drejtues të tjerë të UÇK-së?

Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë ka zyrtarizuar tashmë akt-akuzën prej dhjetë pikash në Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke akuzuar presidentin e dorëhequr të Kosovës Hashim Thaçi, ish kreun e PDK Kadri Veseli dhe të tjerë ish drejtues të UÇK-së për një sërë “krimesh kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasje, zhdukje me dhunë të personave, persekutim dhe tortura”.

Sipas akuzës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuarit e tjerë të akuzuar janë përgjegjës për rreth 100 vrasje.

Krimet e pretenduara në aktakuzë përfshijnë qindra viktima të njohura shqiptarësh, serbësh, romësh dhe të etnive të tjera të Kosovës dhe përfshijnë kundërshtarë politikë”.

Më herët, Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës akuzoi Thaçin dhe Veselin për përpjekje që pengonin dhe dëmtonin punën e Dhomave të Specializuara.

Gjatë vitit të kaluar, më shumë se 100 njerëz, kryesisht ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, janë thirrur për t’u marrë në pyetje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar si të dyshuar ose dëshmitarë në lidhje me krimet që dyshohet se janë kryer gjatë luftës për pavarësisë të Kosovës nga Serbia midis 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 1999 në Kosovë.

Ndër ta kishte edhe ish-luftëtarë të UÇK-së, të cilët janë bërë politikanë të profilit të lartë, siç është Ramush Haradinaj, i cili dha dorëheqjen si kryeministër i Kosovës pasi u thirr.

Dhomat e Specializuara të Kosovës do të dëgjojnë raste që dalin nga një raport i task-forcës së BE-së, i cili tha se zyrtarë të UÇK-së mund të përballen me aktakuza për një “fushatë persekutimi” kundër serbëve, romëve dhe shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës.

Raporti u autorizua pasi Këshilli i Europës publikoi një hetim në vitin 2011, i cili pretendonte se disa zyrtarë të lartë të Kosovës, përfshirë Thaçin, ishin përgjegjës për abuzime të ndryshme të të drejtave të njeriut. Thaçi i ka mohuar akuzat.

Negociatat për krijimin e gjykatës zgjatën nga viti 2011 deri në vitin 2015. Stafi i gjykatës përbëhet nga gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë, edhe pse ajo funksionon në bazë të ligjeve të Kosovës.

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, komuniteti ndërkombëtar ka mbikëqyrur sistemin e drejtësisë në Kosovë, rezultatet e të cilit në ndjekjen penale të krimeve të luftës kanë qenë të dobëta – më pak se 20 vendime të formës së prerë në çështjet e krimeve të luftës.

Besohej se prokuroria e Kosovës nuk mund ta përballonte dot presionin politik në raste të ndjeshme në lidhje me zyrtarët e lartë dhe kjo qe arsyeja pse komuniteti ndërkombëtar vendosi të krijojë gjykatën e re.

CV-ja e Hashim Thaçit

Hashim Thaçi ishte drejtues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, post të cilin e mbajti deri më 19 shtator 1999, kur UÇK-ja u transformua në Trupa Mbrojtëse e Kosovës (TMK).

Gjatë Konferencës Ndërkombëtare për Kosovën, të mbajtur në Rambuje të Francës, nga 6 deri më 22 shkurt 1999, Hashim Thaçi ishte Kryesues i Delegacionit të Kosovës. Konferenca përfundoi në Paris më 18 mars 1999, ku pas nënshkrimit të palës shqiptare, iu hap rruga intervenimit ushtarak të NATO-s për Kosovën.

Në mars 1999 Hashim Thaçi ishte Kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës.

Pas fitores së Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të 17 nëntorit 2007, z. Hashim Thaçi u zgjodh Kryeministër i Qeverisë së Kosovës, më 9 janar 2008.

Me 17 shkurt 2008, Kryeministri Hashim Thaçi në Kuvendin e Kosovës lexoi deklaratën e pavarësisë së Kosovës, ndërsa pas votimit nga ana e deputetëve të deklaratës, Kryetari i Parlamentit e shpall Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik, ku më pas të gjithë deputetët prezent e nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë.

Në zgjedhjet e parakohshme të mbajtura në Kosovë më 12 dhjetor 2011 fiton PDK-ja në krye me Hashim Thaçin dhe përsëri rizgjedhet kryeministër për mandatin 2011-2014.

Thaçi u zgjodh President i Kosovës në shkurt të vitit 2016, ndërsa detyrën e mori zyrarisht më 7 prill e për ta dorëzuar ditën e sotme./oranews/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here