I kishte ikur ceremonisë, Hoti nuk i hakmerret Kurtit – Ia dorëzon zyrtarisht detyrën

Ora 10:00 e mëngjesit të ditës së sotme do të shënojë fundin e qëndrimit të Avdullah Hotit si kryetar i qeverisë.

Në këtë orë, Hoti edhe zyrtarisht do t’ia dorëzojë detyrën kryeministrit të ri, Albin Kurti, partia e të cilit doli fituese në zgjedhjet e 14 shkurtit. Mirëpo këtë akt të dorëzim-pranimit të detyrës nuk e kishte bërë Kurti vitin e kaluar, kur në vend të tij vinte Avdullah Hoti pasi që qeveria e VV-së ishte rrëzuar me mocion mosbesimi.

Aso kohe, ai arsyetohej se nuk mund ta pranojë si kryeministër një person të cilin e kishte shkarkuar.

“Nesër nuk do ta bëj pranim-dorëzimin sepse nuk mund ta pranoj atë që e shkrakova ndërkohë që edhe u dorëzua te presidenti. Ne vazhdojmë, do të kthememi përsëri e shumë shpejt”, ishte shprehur ai.

Pas rënies së qeverisë dhe votimit të mocionit të mosbesimit kundër tij, Kurti e kishte liruar menjëherë nga detyra Avdullah Hotin që mbante pozitën e zv/kryeministrit. Nga zëvendës, Hoti ishte bërë kryeministër për një periudhë rreth një-vjeçare pasi që partia e tij ia kishte dhënë besimin për të udhëhequr me qeverinë. Sidoqoftë, në zgjedhjet e 14 shkurtit VV fitoi mbi 50% të votave dhe lideri i saj, Albin Kurti u votua dje si udhëheqës i qeverisë me 67 vota në Kuvend.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *