Ish-komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), Kadri Kastrat, ka thënë se lufta në Ukrainë mund të rrezikojë Ballkanin Perëndimor.

Sipas tij, Serbia ka pretendime territoriale ndaj Kosovës, andaj institucionet e vendit në koordinim me KFOR-in duhet të jenë vigjilent dhe të ndërmarrin masa sa i përket sigurisë në veri.

“Lufta në Ukrainë mund të rrezikojë edhe Ballkanin Perëndimor në përgjithësi e në veçanti Kosovën në veri për arsye se ne fare mirë e dimë që Serbia gjithmonë ka pretendime territoriale ndaj Kosovës”.

“…unë mendoj që institucionet e Kosovës duhet të jenë vigjilente dhe të ndërmarrin masa dhe të thirrin Këshillin e Sigurisë Kombëtare që ta analizojnë situatën dhe me kohë të marrin veprimet e duhura me KFOR-in, ushtrinë dhe Policinë e Kosovës që në atë pjesë mos të ndodh diçka që mund të ketë probleme më të mëdha. Ne nuk duhet të llogarisim nëse ndodh diçka vetëm në ushtri dhe Polici”.

Tutje, Kastrati tha se kapacitetet ushtarake akoma nuk janë të zhvilluara siç janë të parapara me ligj, duke shtuar se nëse Kosova rrezikohet do ta ketë mbrojtjen e NATO-s, raporton EO.

“Të gjithë jemi të përgatitur si popull në veçanti njerëzit që kanë përvojë në luftë. Unë mendoj që kapacitetet ushtarake akoma nuk i kemi të zhvilluara me kapacitet sa janë të parapara me ligj”.

“Ato mund të plotësohen në rast se eskalon situata por KFOR-i është përgjegjësi numër një për ruajtjen e kufirit të Kosovës sipas rezolutës. Ne e kemi NATO-n në Kosovë dhe jam shumë i bindur që nëse Kosova rrezikohet komplet NATO do ta mbrojë Kosovën”, tha Kastrati./EkonomiaOnline/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here