Katër sulme ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës kanë ndodhur në tri ditët e fundit në pjesën veriore të vendit, ku janë përdorur armë e mjete të ndryshme.

Ish-komandanti i FSK-së, gjeneral Kadri Kastrati thotë se sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri e kanë burimin në Beograd. Kastrati në RTV Dukagjini ka thënë se qëllimi i sulmit më shumë se ushtarak ishte politik.

“Unë mendoj se ky është lloj revanshizmi i Beogradit, apo iu është dhënë leje serbëve në Kosovë që të përdorin më shumë armë dhe mjete luftarake për arsye se serbeve të Kosovës nuk iu është dhënë leje për mbajtjen e referendumit dhe zgjedhjeve në Kosovë”, tha ai për RTV Dukagjini.

Gjenerali dyshon se Serbia e ka kuptuar që është në prag të një presioni të jashtëzakonshëm nga ndërkombëtarët për të arritur një marrëveshje finale për të njohur Kosovën. “Serbia dëshiron ta prolongojë situatën aktuale, apo ta keqësojë edhe më tutje. Unë mendoj se kjo është me prapavijë politike”.

Megjithatë, Kastrati thotë se kjo që ndodhi në veri lidhet edhe më atë që po ndodh në Bosnje dhe e tëra kjo vjen nga shërbimet ruse. Ish-komandanti i FSK-së thotë se Serbia po provokon strukturat e sigurisë së Kosovës me veprime të tilla.

“Veprimet e Serbisë janë të njohura, pasi kështu kanë filluar edhe në Bosnje, Slloveni e Kroaci me disa provokime të lehta. Këta dëshirojnë ta provokojë edhe Kosovën dhe institucionet e saj të sigurisë”, deklaroi tutje Kastrati.

Veriu i Kosovës vazhdon të mbetet një nga zonat më pak të kontrolluara të vendit. Në raporte të ndryshme ndërkombëtare, veriu i Kosovës përmendet në veçanti si një zonë gri dhe e përshkuar nga veprimtari të paligjshme.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj një grupi të krimit të organizuar me seli në veriun e Kosovës. Grupi i udhëhequr nga afaristi serb, Zvonko Veselinoviq, të cilin departamenti i Thesarit e cilësoi si shef të grupit të krimit të organizuar dhe një nga figurat më famëkeqe të korruptuara të Kosovës.

Ky grup akuzohet pos tjerash për marrëveshje me politikanët në veri të Kosovës, për të ndihmuar fitoren e tyre në zgjedhje dhe mbështetjen financiare për ta si dhe trafikim të paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here