Kryeministri malazez, Zdravko Krivokapiq e cilësoi provokim të papranueshëm deklaratën e djeshme të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke thënë se çështja e demarkacionit do të zgjidhet me qeverinë e re malazeze dhe në këtë mënyrë do të “korrigjohet gabimi” i bërë nga qeveritë e mëparshme të Kosovës duke “dhuruar 8200 hektarë”.

“E konsideroj provokim të papranueshëm deklaratën e zotit Kurti që shpall aspirata të rrezikshme për cenim të integritetit territorial të Malit të Zi. Është interesant se nuk ka asnjë reagim nga presidenti i Malit të Zi dhe kryeministri ‘antikushtetues’ Dritan Abazoviq”, shkroi ai në Twitter.

Ky reagim i Krivokapiqit vjen pas deklaratës së djeshme të kryeministrit, Albin Kurti i cili u shpreh se po e pret qeverinë e re në Mal të Zi që të fillojnë takimet e përbashkëta ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Mallit të Zi, siç u zhvilluan me shtetet tjera të rajonit.

“Shpresojmë që së shpejti Mali i Zi do të ketë Qeveri të re me të cilën do të mund të bisedojmë e ta trajtojmë këtë çështje. Për dallim nga qeveria paraprake e cila kishte për brenda elemente pro ruse, përveç se pro Beogradit dhe natyrisht që nuk kishte kushte për një trajtim të tillë. Ne kemi bërë mbledhje të përbashkëta të qeverisë me Maqedoninë e Veriut edhe me Shqipërinë, dhe shpresojmë të bëjmë edhe me Malin e Zi pasi të formohet qeveria e re”.

“Shpresojmë që do të ketë kushte të reja, me qeverinë e re për ta trajtuar edhe këtë çështje për të cilën natyrisht fajin e përgjegjësinë e ka ajo qeveria e atëhershme e cila padrejtësisht, gabimisht e shumë dëmshëm iu dha Malit të Zi 8200 hektar të territorit të Kosovës”, u shpreh Kurti.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here