Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar 32-vjetorin e faljes së gjaqeve në Verrat e Llukës të Deçanit, ku morën pjesë rreth gjysmë milion shqiptarë, me ç’rast u falën më shumë se 100 gjaqe dhe ngatërresa ndër-shqiptare.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se me moton “Duart e Pajtimit, Duart e Bashkimit”, Lëvizja Gjithëpopullore e Pajtimit të Gjaqeve (1990-1991), ishte prelud i përbashkimit të shqiptarëve para betejave të shumta që pasuan gjatë gjithë asaj dekade deri në çlirim e Kosovës më 1999.

“Lëvizja Gjithëpopullore e Pajtimit të Gjaqeve, është përvoja jonë kolektive më e mirë për forcën që mund të fitojmë nga të qenit të bashkuar si shoqëri dhe si komb! Andaj bashkë me kujtimet e kësaj periudhe të historisë moderne të Kosovës, kjo përvojë vlen edhe sot, për të gjithë shqiptarët”, ka shkruar ai.

Ndryshe, aksioni për pajtimin e familjeve shqiptare në hasmëri kishte nisur nga disa studentë të rajonit të Dukagjinit, ish-të burgosur politikë, më 2 shkurt 1990 në Lumëbardhë të Deçanit.

Ky aksion u shndërrua në një lëvizje për pajtimin e gjaqeve dhe falë punës së madhe të veprimtarëve në krye me Anton Çettën kjo lëvizje gjithëpopullore arriti të pajtojë mbi një mijë gjaqe e ngatërresa ndër-shqiptare.

Postimi i plotë: Vitet e 90-ta në Kosovë si dekadë e rezistencës paqësore dhe luftës së armatosur ndaj okupatorit e regjimit serb, nuk do të ishin të mundura pa eliminimin paraprak të hasmërive mes nesh. Mbyllja e gjaqeve të hapura, qe parakushti i krijimit të kohezionit kombëtar dhe përbashkimit të shqiptarëve përballë politikave fashiste të Serbisë në Kosovë.

Të prejardhura nga një kulturë e vjetër e gjakmarrjes dhe të bartura nga e drejta zakonore shqiptare ndër shekuj, mijëra raste të hapura gjakmarrjesh dhe ngatërresash, edhe në fund të shekullit XX, mirëmbanin një gjendje përçarjeje dhe pasigurie në Kosovë.

32 vjet më parë, në një datë si sot, më 1 maj 1990, qindra-mijëra njerëz u mblodhën në logun e quajtur Verrat e Llukës në komunën e Deçanit, në një tubim masiv ku u falën 100 gjaqe dhe ngatërresa. Kështu, një ide e nisur nga disa studentë të Universitetit të Prishtinës dhe ish-të burgosur politikë, u kthye në një lëvizje që rezultoi me faljen e rreth 1800 gjaqeve dhe të mijëra ngatërresave në gjithë Kosovën.

Me moton “Duart e Pajtimit, Duart e Bashkimit”, Lëvizja Gjithëpopullore e Pajtimit të Gjaqeve (1990-1991), ishte prelud i përbashkimit të shqiptarëve para betejave të shumta që pasuan gjatë gjithë asaj dekade deri në çlirim e Kosovës më 1999. E organizuar dhe e ndihmuar nga shumë njerëz me autoritet, klerikë fetarë, kryetarë fshatrash dhe aktivistë politikë, kjo lëvizje pati një rol shumë të rëndësishëm unifikues përballë gjithë atyre politikave të Serbisë, politikave të aparteidit, segregacionit, përndjekjeve politike, burgosjeve dhe vrasjeve që kulmuan me luftën në Kosovë (1997-1999).

Lëvizja Gjithëpopullore e Pajtimit të Gjaqeve drejtohej nga Kryetari i Këshillit Qendror të saj, Anton Çetta (1920-1995), profesori i letërsisë që si mbledhës i folklorit, i kishte rënë në këmbë kryq e tërthor fshatrave të Kosovës, duke fituar respekt dhe gëzuar autoritet mes të gjithëve. Ky profil dhe kjo përvojë e Anton Çettës, erdhi në shprehje duke u materializuar në figurën e “Plakut të urtë”, që ndërmjetësoi shtrirjen e dorës së pajtimit mes mijëra njerëzve, duke parandaluar vëllavrasjet nga gjakmarrjet.

Lëvizja Gjithëpopullore e Pajtimit të Gjaqeve, është përvoja jonë kolektive më e mirë për forcën që mund të fitojmë nga të qenit të bashkuar si shoqëri dhe si komb! Andaj bashkë me kujtimet e kësaj periudhe të historisë moderne të Kosovës, kjo përvojë vlen edhe sot, për të gjithë shqiptarët.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here