Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka takuar Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në kuadër të Forumit Ekonomik të Delfit që po mbahet në Athinë të Greqisë.

Një gjë të tillë e kanë bërë të ditur nga Zyra e Kryeministrit me anë të një komunikate për media, duke njoftuar se ndër të tjera, i pari i ekzekutivit kosovar, ka kërkuar që nga dialogu të dalë edhe njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

“Në takim u bisedua për mbarëvajtjen e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe hapat e ardhshëm në këtë proces. Kryeministri theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar për dialog parimor e të balancuar. Ai ritheksoi se nga ky dialog duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të zbatueshme, që në qendër ka njohjen reciproke”, bëhet e ditur në komunikatë.

Po ashtu, nga Zyra e Kryeministrit bëhet e ditur se afati i fundit për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse për çështjen e targave mes palës kosovare dhe asaj serbe është pas dy javësh. Më tej, njoftohet se u diskutua edhe për agresionin ushtarak rus në Ukrainë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here