Administratori i parë në Kosovë, Bernard Kouchner, e ka shkruar parathënien e librit “Lindja e një demokracie: Hashim Thaçi dhe rruga drejt pavarësisë së Kosovës”, me autor Jacques Baudouin.

Koushner thotë se bashkë me Thaçin e dinin se bashkëjetesa do të ishte e vështirë, se rivendosja e besimit mes dy komuniteteve për të formuar një Kosovë multietnike do të kërkonte kohë, diplomaci, vullnet të mirë, madje njëfarë aftësie të harresës në të dy anët.

“Ai dhe unë punuam krah për krah. Dhe ai nuk kursente asnjë përpjekje gjatë gjithë prezencës sime në vend për ta bërë Kosovën atdheun e të gjithëve, pavarësisht nga përkatësia etnike e secilit. Ndër udhëheqësit e UÇK-së dhe Kosovës, ishte pikërisht Hashim Thaçi ai që kishte menduar më së shumti për të ardhmen. Ai kishte krijuar një vizion të vendit që donte ta linte për brezat e rinj. Pasi që kishte bërë luftë, ai ishte në pozitën më të mirë për të bërë paqe. Ai ishte njeriu i tolerancës, i pajtimit ndërmjet komuniteteve dhe besoj se ai është sot udhëheqësi i pajtimit mes Kosovës dhe Serbisë”, shkruan Kouchner në parathënien e librit “Lindja e një demokracie: Hashim Thaçi dhe rruga drejt pavarësisë së Kosovës”, të cilën më poshtë e gjeni të plotë.

“Disa vende ju lënë mbresa përgjithmonë. Kam njohur dhe kam udhëtuar në shumë prej tyre, shpesh në kushte të rrezikshme, por pak nga ato më kanë bërë një përshtypje aq të fortë sa ky cep i vogël i Ballkanit, i rrethuar nga malet, ku manastiret e bukura ortodokse qëndrojnë së bashku me xhamitë që datojnë nga Perandoria Osmane dhe kishat e lashta katolike, ku banorët janë të ndryshëm dhe ngurrojnë të tregohen të ngrohtë deri sa të krijohet besimi: Kosova.

A është kjo sepse u çlirua falë zbatimit nga ana e OKB-së e së drejtës së ndërhyrjes humanitare, e cila është shndërruar në “Përgjegjësinë për të mbrojtur” në gjuhën e OKB-së, ose sepse i kam ushtruar përgjegjësitë që më ishin besuar nga Sekretari i Përgjithshëm i atëhershëm, Kofi Anan?

Pa dyshim për shkak se krimet dhe masakrat i kanë hapur ngadalë rrugën paqes.

“Unë kurrë nuk kam qenë më i lumtur sesa në Kosovë” shkrova në ‘Luftëtarët e paqes’ në vitin 2004. Kjo për arsye se ndihesha i dobishëm, “i nxitur nga dy bindje që janë një e vetme: humanitare dhe politike”. Dhe kur, dhjetë vjet më parë, Kosova u bë e pavarur dhe kjo pavarësi u njoh nga shtetet më të mëdha të botës, me përjashtim të veçantë të Rusisë, mendova se ne – domethënë Kofi Anan, Bill Clinton, Richard Holbrooke, Madeleine Albright, Jacques Chirac, Tony Blair, Lionel Jospin, Robin Cook, Joschka Fischer, por edhe ekipi i bukur i UNMIK-ut – kishim qenë përgjegjës dhe të vendosur, shkruan “lajmi.net”.

Këtë pavarësi, rezultat i viteve të luftimeve, negociatave dhe vendosmërisë nga ana e liderit politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçit dhe liderit të LDK-së, Ibrahim Rugova, Kosova e kishte paguar shumë shtrenjtë. Kur arrita në Prishtinë në korrik të vitit 1999 në krye të UNMIK-ut, vendi i bartte plagët e luftës së pamëshirshme që trupat serbe kishin zhvilluar kundër UÇK-së dhe popullata shqiptare ende vuante nga abuzimet e milicisë serbe: fshatra të tërë në rrënoja, shteti dhe administrata joekzistente, shërbimet publike të braktisura, varfëria e përhapur e bërë më mizore nga mungesa e gjërave elementare, të ujit dhe shpesh të energjisë elektrike. Pas viteve të luftës kundër marrëzive shkatërruese të Sllobodan Millosheviqit, të spastrimit etnik në një shkallë të madhe që ai e kishte urdhëruar, më shumë se dhjetë mijë të vdekur dhe të zhdukur që trupat dhe paramilitarët serbë i kish in shkaktuar, vendi duhej të rindërtohej plotësisht. Duhej që gjithçka të fillohej nga zeroja. Përballë vuajtjeve të papërshkrueshme të familjeve përgjithmonë në zi, unë e dija, dhe i tërë UNMIK-u me mua, se nuk kisha të drejtë të dështoj. Kosova ishte e lirë, por e dëmtuar deri në rrënjët e saj më të thella.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here