Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu ka filluar një vizitë në Hagë ku do të takojë disa nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por jo edhe ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli, kjo pasi këta dy të fundit nuk kanë pranuar të takohen me të.

Kjo ka ngjallur debate të mëdha në opinionin publik, disa i kanë kritikuar ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por disa i kanë arsyetuar nën idenë e ashpërsisë opozitare që dikur e kishte treguar ministrja e sotme, Albulena Haxhiu ndaj dy ish-krerëve të UÇK-së, duke i quajtur “kriminelë” e “hajna”, shkruan lajmi.net.

Lidhur me këtë çështje ka folur edhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu e cila ditë më parë deklaroi publikisht se ministrja Haxhiu do duhej t’iu kërkonte falje ish-krerëve të UÇK-së para se të vendoste t’i takonte.

E pyetur nga lajmi.net se çfarë mendon rreth vizitës së Haxhiut tek ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, Musliu tha se ministrja Haxhiu është favorizuar në politikë duke denigruar ish-krerët e UÇK-së, ndërsa tani ajo po tenton sipas Musliut të fitojë kredibilitet politik si ministre.

“Albulena Haxhiu në politikë u faktorizua duke denigruar pikërisht krerët e UÇK-së. Duke e nuhatur që qytetarët e Kosovės më në fund e kanë kuptuar që kjo gjykatë është themeluar mbi një bashkëpunim me Serbinë dhe spiunët e saj brenda vendit tonë, Albulena Haxhiu po synon që duke aranzhuar takime në Hagë të fiton kredibilitet politik si Ministre. Për këtë arsye mendoj që është vetëm hipokrizia e radhës dhe asgjë tjetër.”, tha Musliu.

Lidhur me refuzimin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe ish-kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veseli për t’u takuar me të, Musliu u shpreh se “refuzimi për ta takuar (Haxhiun) është veprimi i duhur), pasi sipas saj kjo e fundit nuk ka kërkuar falje për deklaratat e saj.

“Mendimi im personal është që nëse në burg gjendesh për shkak të akuzave të rreme e në këtë rast edhe të një Albulene e cila koinçidon të jet sot Ministre, dhe e njëjta nuk ka kërkuar falje për deklaratat e saj, atëherë refuzimi për ta takuar është veprimi i duhur. Nuk kanë ata nevojë t‘i prodhojnë material për fcb apo t‘i amnistojnë sjelljet e saj në të kaluarën.”, tha Musliu.

Lidhur me raportin që sot ka qeveria e Kosovës me ish-krerët e UÇK-së në Hagë, Musliu për lajmi.net tha se është “nën çdo nivel”. Sipas saj, Kurti e kishte premtim elektoral çbërjen e Gjykatës Speciale, por tani ka rënë në heshtje.

“Qasja e qeverisë aktuale në raport me ish udhëheqësit e UÇK-së, të cilët janë duke e zhvilluar betejën e fundit me Serbinë, është nën çdo nivel. Albin Kurti, çbërjen e kësaj gjykate e kishte premtim elektoral. Sot ai ka rënë në një heshtjë komatoze. Në anën tjetër publikohen pagesat e avokatëve për të krijuar huti në opinion.”, tha Musliu.

Më tutje, Musliu u shpreh se në paraqitjet e tyre të fundit, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani kanë lënë shije të keqe. Sipas Musliut, procesi që po zhvillohet në Hagë nuk trajtohet seriozisht nga qeveria.

“Në paraqitjet e fundit, për nder të festave kryesore të historisë sonë Kryeministri dhe Presidentja kanë lënë shije të keqe dhe lanë dhënë shembullin më të shëmtuar. Ministrja e Jashtme bllokoi marrveshjen me DHL dhe shkaktoi rrėmujë në dërgimin e gjërave të nevojshme. Procesi qė po zhvillohet në Hagë nuk është pjesë serioze e agjendës qeveritare, prandaj mendoj se kjo qeveri heret a vonë do të gjykohet për mos angazhim dhe mos të harrojmë pa përmend faktin që disa pjestarë të kabinetit qeverisës kane deklaruar publikisht se janë deponues të dosjeve në Hagë.”, tha Musliu për lajmi.net.

Lajmi.net në anën tjetër sot ka përmbledhur nëpërmjet një artikulli përplasjet e ministres Haxhiu dhe zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje e të qeverisë Kurti me ish-krerët e UÇK-së, Thaçi e Veseli.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here