Kriza e krijuar nga rritja enorme e çmimeve në vend si rrjedhojë e luftës në Ukrainë, ka shtyrë Partinë Demokratike të Kosovës që të propozojë një tërheqje deri në 30 përqind të kursimeve pensionale në Fondin Pensional të Kursimeve të Kosovës (Trust).
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, më 9 mars ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës, projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës.
Ani se ende nuk dihet se kur do të shqyrtohet ky projektligj në kuvend, zyrtarët e Trustit janë deklaruar për KosovaPress, lidhur me atë se a janë të gatshëm për këtë proces në rast se miratohet nga ana e Kuvendit të Kosovës.
Zëdhënësi i Trustit, Jeton Demi ka thënë për KosovaPress, se Fondi i Kursimeve Pensionale, e ka për mandat t’i administrojë dhe menaxhojë kontributet pensionale deri në pensionimin e kontribuuesve.
Demi: Ne kryejmë përgjegjësitë tona ligjore
“Ne duhet të kryejmë të gjitha përgjegjësitë tona ligjore. Mandati i institucionit është të administrojë dhe menaxhojë kontributet pensionale derisa kontribuuesit dalin në pension. Dhe brenda këtij fushëveprimi ne i kryejmë obligimet tona ligjore nga institucionet, të cilat marrin vendime për kornizën dhe ambientin në të cilin veprojmë. Brenda këtij fushë veprimi, brenda këtij mandati, ne mund të komentojmë dhe japim vlerësimet tona. Jashtë këtij mandati nuk është në detyrën tonë të gjykojmë, të komentojmë, opinionet apo vlerësimet dhe qëndrimet e individëve, të organeve apo institucioneve tjera”, thotë Demi për KosovaPress.
Deri tash në mbështetje të këtij propozimi të bërë nga ana e deputetit Haxhiu, duket të jenë vetëm deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), jo edhe të atyre nga VV-ja dhe LDK-ja.
Në anën tjetër qytetarët janë pro dhe kundër tërheqjes së mjeteve të Trustit. Qytetari Fatmir Murati u pajtua që qytetarët kanë nevojë për tërheqjen e trustit, e bllokimin e trustit e konsideroi hajni.