Nis seanca konstituive e Kuvendit të ri të Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën konstituive të legjislaturës së tetë.

Formimi i komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, dhënia e betimit të deputetëve, zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, janë pikat e rendit të ditës në njoftimin dërguar mediave nga Kuvendi i Kosovës.

Sipas rregullores së Kuvendit, neni 9 pika 1, punimet e mbledhjes konstituive e udhëheq deputeti më i vjetër i legjislaturës i ndihmuar nga deputeti më i ri sipas moshës. Kjo udhëheqje parashihet të vazhdojë deri në zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Pas konstituimit të Kuvendit, hapet rruga për formimin e Qeverisë së re, të cilën pritet ta udhëheqë Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Në zgjedhjet e fundit, Lëvizja Vetëvendosje ka 58 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) 19, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 15, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 8, Lista Serbe ka fituar 10 ulëset e garantuara, dy mandate i ka fituar Partia Demokratike Turke e Kosovës, nga një mandat kanë Koalicioni Vakat, Unioni Socialdemokrat, Partia Gorane, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Partia e Re Demokratike, Iniciativa Rome, Partia e Ashkalinjëve për Integrim dhe Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *