Parashihet që prej nesër Kosovë të vendos reciprocitetin ndaj Serbisë, në kuadër të dokumenteve dhe targave të automjeteve.

Por pikërisht sot në veri të vendit situata është tensionuar.

Si fillim nisi me aktivizimin e alarmeve, të cilat për serbët cilësohen si “thirrje për grumbullim”, e më pas vazhdoi edhe me vendosje të kamionëve në pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, në mënyrë që të ndalohet qarkullimi.

Anipse u tentua që të largoheshin këta kamionë, si fillim kjo ishte e pamundur.

Policia e Kosovës ka bërë thirrje që të përdoren pikat tjera kufitare për qarkullim, pasi në Jarinje dhe Bërnjak është ndaluar qarkullimi.

Kanë kaluar disa orë dhe situata në veri nuk raportohet të jetë krejtësisht e qetë.

Pak më parë, Policia e Kosovës ka njoftuar se pati të shtëna me armë zjarri në drejtim të policëve, por që për fat të mirë nuk ka të plagosur.

Madje u tha se posedojnë informacione nga qytetarët se ka shqiptarë të cilët janë maltretuar nga serbët në veri.

Duke pasur parasysh të gjitha këto zhvillime, Njësitë e Specializuara të Kosovës raportohet të jenë në veri të vendit.

Përpos Njësive të Specializuara të PK-së, aty po qëndrojnë edhe KFOR-i nga ku u tha se po monitorohet çdo lëvizje dhe se po mblidhen të gjitha informacionet e nevojshme.

Në deklarimin e tij të bërë LIVE në Facebook, kryeministri Albin Kurti, tha se situata në veri të vendit po drejtohet nga Petar Petkoviq, i cili është drejtor i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën, si dhe nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Kurti theksoi se orët, ditët dhe javët në vazhdim mund të jenë problematike.

“Ende pa filluar lëshimi ynë i dokumenteve të hyrje-daljeve në vendkalimet kufitare me Serbinë, strukturat ilegale serbe në veri filluan me bllokim rrugësh dhe të shtëna armësh. Atyre ju paraprinë deklaratat, takimet dhe mbledhjet e frikës dhe kërcënimit në Beograd dhe në Rashkë. Aty u planifikuan dhe u nxitën këto veprime agresive që po ndodhin sot. Vuçiq dhe Petkoviq janë përgjegjësit kryesorë për trazirat”,tha Kurti.

Ai theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është demokratike e progresiste, që e don, respekton dhe zbaton ligjin dhe kushtetushmërinë, paqen dhe sigurinë, për të gjithë qytetarët pa dallim dhe për mbarë vendin tonë të përbashkët.

E reagim lidhur me situatën e fundit pati edhe nga Presidenca e Kosovës.

Blerim Vela, shefi i kabinetit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Vela tha se me urdhër të drejtpërdrejtë të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, strukturat ilegale serbe në Kosovë kanë ngritur barrikada në disa rrugë në veri.

Ai tha se kjo është një përpjekje flagrante për të minuar sundimin e ligjit në veri.

“Vuçiq mban përgjegjësinë e plotë për çdo përshkallëzim të situatën në terren. Ai do të dështojë”, shtoi Velaj.

Situata thuhet të jetë nën kontroll nga organet e sigurisë në vend, derisa iu bëhet thirrje qytetarëve që të përdorin pikat e tjera kufitare, e jo atë të Jarinjes dhe Bërnjakut.

Madje qarkullimi është ndaluar edhe tek Ura e Ibrit, derisa qytetarë të shumtë janë parë për orë të tëra duke qëndruar në afërsi për të parë nga afër se çfarë saktësisht po ndodhte aty./Lajmi.net/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here