Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Shtetet të Bashkuara të Amerikës ka takuar edhe kongresistin Ritchie Torres dhe Jim Himmes, të ciltët i ka falënderuar për mbështetjen në përkrahje të Kosovës.

“Populli i Kosovës është thellësisht mirënjohës për të gjitha iniciativat që kanë për qëllim mbështetjen e shtetit tonë, përfshirë iniciativën për të përkrahur anëtarësimin e Kosovës në NATO, si dhe organizata të tjera ndërkombëtare”, shkroi Osmani në Facebook.

“Do ta vazhdojmë bashkëpunimin e afërt me kongresistët Torres e Himes, si dhe anëtarë të tjerë të Kongresit drejt avancimit të mëtutjeshëm të marrëdhënieve speciale me SHBA-të”, tha ajo.

Gjithashtu Osman gjatë ditës është takuar edhe me kongresistin Robert Aderholt.

“Kongresistin Robert Aderholt, i cili shërben edhe si bashkudhëheqës i grupit për çështje shqiptare në kuadër të Kongresit amerikan, e njoftova për punën e institucioneve të Kosovës dhe për reformat që po ndërmerren si dhe për situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajon”, ka shkruar Osmani.

Në njoftim, thuhet se Osmani e ka njoftuar kongresistin amerikan për rolin e NATO-s në Kosovë.

“Potencova se roli i NATO-s në Kosovë është tejet i rëndësishëm në ruajtjen e paqes dhe sigurisë, si dhe diskutuam për rëndësinë e bashkëpunimit mes Kosovës e SHBA-ve në fushën e mbrojtjes dhe të ekonomisë si dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm”, ka theksuar ajo.

Gjatë qëndrimit të saj në SHBA, e para e shtetit ka takuar edhe kongresistin Ben Cardin dhe kongresistin Steve Cohen, bashkëudhëheqëse të Komisionit për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (U.S Helsinki Committee).

Gjithashtu, është takuar me udhëheqësin e shumicës parlamentare në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-ve, Steny Hoyer si dhe disa kongresistë të tjerë, më të cilët ka biseduar kryesisht për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here