Pamje nga Jarinja: Forca të rënda të Njësisë Speciale, kamionë të bllokuare serbët në protestë (Video)

Një vendim i qeverisë së Kosovës, përkatësisht i ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës për të vendosur reciprocitetin e targave të veturave ka dërguar në orët e hershme të mëngjesit Njësinë Speciale në pikën kufitare në Jarinje

Ky vendim i qeverisë së Kosovës thotë se obligohet pajisja me targa të përkohshme për të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Kosovës.

“Obligohet pajisja me targa të përkohshme për të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në Territorin e Republikës së Kosovës. Pajisja me targa të përkohshme bëhet në të gjitha pikat e kalimit kufitar të Republikës së Kosovës. Obligohen shoferët e mjeteve që targat e përkohshme t’i vendosin në vende të dukshme, para dhe mbrapa mjetit. Vlefshmëria e targave të përkohshme është 60 ditë. Taksa për targat e përkohshme nga pika 1 e këtij vendimi është 5 euro. Palët do të pajisen me vërtetim si zëvendësim i certifikatës së regjistrimit të automjetit. Obligohet Agjencia e Regjistrimit Civil dhe Policia e Kosovës për zbatimin e këtij vendimi.”, thuhet në këtë vendim.

Por, pavarësisht se ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla ka deklaruar se gjendja në veri është e qetë, atje shumë protestues kanë dalë nëpër rrugë duke penguar kështu punën e policisë së Kosovës.

Policia iu ka kërkuar atyre të lirojnë rrugën, duke iu thënë se askush nuk ua ndalon të protestojnë. Sipas një raportimi në media, thirrja për këtë protestë është bërë nga qeveria e Serbisë.

Ndërkohë, një kosovar është rrahur në veri të Kosovës dhe nuk dihet nëse ky rast ka të bëjë me aksionin e policisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit dhe zbatimin e këtij vendimi të qeverisë së Kosovës.

Sipas pamjeve të publikuara në mediat serbe, policia e Kosovës është vendosur pranë pikës kufitare por edhe në kryqëzimet e rrugëve në atë pjesë për të monitoruar plotësisht situatën. Ndërkohë, policia e Kosovës thuhet se është vendosur në veri të Kosovës në orët e para të mëngjesit dhe do të qëndrojë atje për të zbatuar vendimin e qeverisë lidhur me reciprocitetin e targave.

Numri i protestuesve në veri të Kosovës është i vogël pavarësisht thirrjes nga qeveria e Serbisë për ta penguar këtë aksion të policisë së Kosovës, ndërsa deri më tani nuk ka pasur ndonjë incident përveç atij ku përmendet një rrahje e një qytetari të Kosovës në veri e që nuk dihet nëse ka lidhje me këtë aksion. Në anën tjetër, autoritetet serbe kanë reaguar duke thënë se “serbët janë të shqetësuar”, pavarësisht numrit të vogël të protestuesve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *