Home Kryesore Partia Serbe e Kosovës: Vuçiq urdhëroi që mos të prodhohen, e as...

Partia Serbe e Kosovës: Vuçiq urdhëroi që mos të prodhohen, e as t’u vazhdohet regjistrimi i targave KM, PR, PZ…

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe Drejtori i ashtuquajturës Zyre për Kosovën, Petar Petkoviq po vazhdojnë bisedimet në Bruksel me prezencën e Përfaqësuesit të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak rreth targave të Serbisë me akronime të qyteteve të Kosovës.

Por, Partia Serbe e Kosovës se tashmë kjo çështje ka përfunduar dhe se presidenti serb ka hequr dorë nga këto targa.

PKS ka bërë të ditur se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka shkelur Kushtetutën dhe pa vendim të Qeverisë dhe Kuvendit të Serbisë, ka “anuluar targat serbe për Kosovë”.

PKS-ja thekson se “të gjithë ata që kishin shpresën më të vogël se lufta e Beogradit për të drejtat dhe të ardhmen tonë ishte e sinqertë, duhet ta dinë se janë mashtruar”.

Siç theksohet në njoftim, “nga dje, 22 nëntor 2022, inspektimet teknike në Kosovë janë njoftuar nga MPB-ja e Republikës së Serbisë se ndalohet dhënia apo vazhdimi i lejeve të komunikacionit për targa (KM, PR, PZ, GL, UR, PE)”.

“Kjo lëvizje e fundit dhe arbitrariteti i një njeriu shkatërroi çdo mundësi për një luftë të mëtejshme për ruajtjen e targave serbe dhe nuk ka asnjë sinjal më të qartë se tradhtia është arsyeja e kësaj drame të inskenuar dhe histerisë së paraluftës që ka ushqyer mediat shtetërore që nga maji i vitit 2022”, thuhet në njoftimin e Partisë së Serbëve të Kosovës.

Kujtojmë se edhe analisti politik serb, Dushan Janjiq ka thënë se Vuçiq ka propozuar në Bruksel që Serbia të mos shtypë targat e qyteteve të Kosovës (KM, PE, PR, PZ, DJ, GL, UR) në të ardhmen, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar garanci nga Bashkimi Evropian dhe SHBA se ajo do të respektohet dhe se do të jetë pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse ndërmjet dy vendeve.

Kështu, sipas Janjiq, në vitin e ardhshëm pronarët e veturave në veri të Kosovës me targa të qyteteve të Kosovës të lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë do të duhet të riregjistrojnë veturat e tyre.

“Në Kosovë do të mund të lëvizin vetura me targa RKS dhe SRB të njohura ndërkombëtarisht, por jo automjetet me targa të qyteteve të Kosovës të lëshuara nga Ministria e Brendshme e Serbisë. Prandaj, banorët e veriut të Kosovës që nuk duan targa RKS do të duhet të regjistrojnë vendbanimin e tyre në Serbinë qendrore dhe të regjistrojnë veturat e tyre në p.sh. KG, BG, KŠ, LE dhe targa të tjera”, ka shpjeguar Janjiq.

Ai ka vlerësuar se numri i veturave me targa të qyteteve të Kosovës të lëshuara nga MPB-ja e Serbisë shumë shpejt do të zvogëlohet në një numër simbolik.

“Për një vit nuk do të ketë targa të qyteteve të Kosovës në veri të Kosovës. Vuçiq do të marrë një vendim zyrtar për të anuluar shtypjen e targave të qyteteve të Kosovës dhe Kurti dhe për të shtyrë përkohësisht gjobitjen e tyre. Problemi me riregjistrimin do të zhduket me kalimin e kohës, sepse nuk do të ketë më targa KM”, ka thënë në fund Janjiq.

Ndryshe, vendimi i qeverisë për shtyrjen e shqiptimit të gjobave për vozitës me targat e lartcekura skadon gjatë ditës së nesërme (e mërkure), megjithëse Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar që vendimi të shtyhet për së paku dhjetë muaj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here