Për dy muaj tre persona vdiqën në vendin e punës, 9 të tjerë janë lënduar

Siguria në punë vazhdon të jetë problem për punëtorët kosovarë. Sipas Inspektoratit të Punës, në dy muajt e parë të këtij viti tre persona kanë vdekur në vendin e punës, ndërsa 9 të tjerë janë lënduar.

Këto statistika janë shqetësuese për zyrtarë të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, të cilët thonë se kjo gjendje ndërlidhet edhe me interesimin e pamjaftueshëm të institucioneve shtetërore për punëtorët.

Në Prishtinë, Fushë Kosovë, Ferizaj e qytete të tjera të mëdha janë të shumtë vinçat që po përdoren edhe në këto ditë fund dimri për ndërtimin e objekteve shumëkatëshe. E, si pasojë e sigurisë së ultë në vendpunishte, çdo vit dhjetëra kosovarë vdesin a lëndohen në vendin e tyre të punës. Zëvendëskryeinspektori për Siguri në Punë, Agim Millaku, në një prononcim për Radio Kosovë tregon numrin e të vdekurve dhe të lënduarve në vendin e punës, këtë vit.

“Gjatë këtij viti, në muajt janar dhe shkurt kanë ndodhur 12 aksidente, prej tyre, 3 kanë përfunduar me fatalitet, 9 me lëndime. Nuk kam të dhënë të ndara për kontrollimet e kryera vetëm për sigurinë në punë, pasi i njëjti inspektor kryen inspektime në lëmin e marrëdhënies së punës, por, sa i përket aksidenteve në punë, sigurisht që është inspektuar çdo rast aksidental, për të cilin ka qenë i njoftuar Inspektorati i Punës”, tha ai.

Rritja e rasteve të vdekjeve dhe siguria jo e duhur në vendin e punës është shqetësuese për Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës. Kryetari i saj, Avni Ajdni, thotë se kjo gjendje është rezultat edhe i mosveprimit të udhëheqësve politikë, karshi të drejtave të punëtorëve.

“Unë i kuptoj punëtorët se janë të obliguar ndonjëherë të rrezikojnë veten, si pasojë e varfërisë, sepse këta politikanët tanë na kanë sjellë buzë greminës. Kërkesat e punëtorëve nuk janë realizuar asnjëherë, edhe pse premtime kemi pasur sa të duash. Kështu që unë jam shumë i zhgënjyer me udhëheqësit tanë politikë që deri më tani për punëtorët nuk kanë bërë asgjë”, tha Ajdini.

Sipas Inspektoratit të Punës, gjatë 2020-ës kanë ndodhur 194 aksidente në vende të punës, ku kanë humbur jetën 16 persona. Gjatë vitit 2019 janë regjistruar 17 vdekje, ndërsa në 2018 njëzeteshtatë persona kanë gjetur vdekjen në vendet e tyre të punës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *