Orët e vona të së premtes u shndërruan në tragjedi të vërtetë. Zyrtari policor Lirim Haxholli humbi jetën si pasojë e plagës nga arma e cila u shkrep nga një pjestar tjetër i Policisë së Kosovës.

Edhe pse 15 miq, të gjithë zyrtarë policorë të Kosovës atë natë jashtë detyre u mblodhën për të kaluar një natë miqësie në një vilë në Zllatar të Prishtinës, e gjitha u shndërrua në një tragjedi të vërtetë.

Derisa të njëjtit po festonin, i dyshuari në këtë rast, F.M shtiu me armë ku si pasojë e plagës së marrë në pjesën e gjoksit, i riu Haxholli ndërroi jetë gjatë arritjes në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

E si shkak i ndodhisë së asaj nate, nga organet e hetuesisë është bërë e ditur se janë arrestuar gjashtë zyrtarë policorë dhe se të tjerët që ishin prezent në vendin e ngjarjes janë suspenduar nga puna.

Në raportin e policisë është thënë se me rekomandim të Inspektoratit Policor të gjithë zyrtarëve policor që ishin prezent në vendin e incidentit janë suspenduar nga puna.

“Me rekomandim të Inspektoratit policor të gjithë zyrtarëve policor që ishin në vendin e incidentit u është dhënë vendimi për suspendim nga puna”,u tha në raportin e policisë.

Por përpos gjashtë zyrtarëve policorë për të cilët ishte marrë vendimi për suspendim, së fundi nga Inspektorati Policor i Kosovës është theksuar se është rekomanduar edhe suspendimi i nëntë policëve të tjerë.

“Inspektorati Policor i Kosovës i cili është edhe mbikëqyrës i Policisë së Kosovës poashtu ka rekomanduar edhe suspendimin e nëntë policëve të tjerë”.

Përpos kësaj në kuadër të këtij rasti, Policia e Kosovës ka sekuestruar edhe 14 armë, të zyrtarëve policorë në këtë rast.

Siç mëson lajmi.net në ngjarjen e 18 shkurtit pati edhe të shtëna të tjera me armë.

Përpos të shtënës me armë që doli të jetë fatale për të riun Lirim Haxholli në këtë rast janë vërejtur edhe gëzhoja të tjera në kuadër të vendit ku po zhvillohej organizimi në fjalë.

Së fundi Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim për të dyshuarin e vrasjes aksidentale në Zllatar.

Zëdhënësja e gjykatës, Mirlinda Gashi ka njoftuar se është marrë vendim që të njëjtit t’i caktohet një muaj paraburgim.

Kurse për zyrtarët e tjerë policorë të cilët ishin arrestuar në këtë rast, Gjykata vendosi që të vazhdojnë të jenë në burgim shtëpiak.

Ndërsa pasditen e sotme shumë familjarë, miq dhe kolegë të viktimës u mblodhën për t’i dhënë atij lamtumirën e fundit.

Haxholli është varrosur në varrezat e rajonit të Prishtinës të cilat gjenden në Dragodan.

Ndërsa duhet theksuar se viktima dhe dorasi në këtë rast ishin miq, përpos kolegialitetit që kishin të njëjtit theksohet të kenë qenë mjaftë të afërt me njëri-tjetrin.

E të riun në këtë rast e kanë përkujtuar shumë miq, e kolegë të tij nga Policia e Kosovës.

Haxholli ishte njohur si djalë i respektuar, e i cili ishte bërë pjesë e Policisë së Kosovës në gjeneratat e reja të cilat po i shtohen asaj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here