Zyrtarët policorë të Kosovës u sulmuan së fundi në veri të vendit, saktësisht në Leposaviq.
Derisa të njëjtit po kryenin detyrën e tyre në kuadër të luftimit të krimit të organizuar dhe kontrabandës, këta të fundit u sulmuan nga ku u lënduan disa prej tyre.

Kamioni që po kontrabandonte mallra, gjatë tentimit për shmangie të ndaljes dhe arrestimit nga policia ka goditur veturën policore disa herë, ku ka rrezikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë zyrtraët policorë. Nga ky sulm u lënduan pesë prej tyre.

Pas këtij sulmi reagime të shumta pati nga zyrtarët e lartë shtetërorë. Pas kësaj kryeministri i vendit, Albin Kurti ftoi në takim zyrtarët policorë nga ku tha se Policia jonë çdo ditë demonstron vendosmëri dhe shkathtësi për të siguruar ligjshmërinë në tërë territorin e Republikës.

Tutje u theksua se kryeministri Kurti shprehu falënderim dhe mirënjohje të thellë për trimërinë dhe profesionalizimin e tyre për të qenë në krye të detyrës, teksa u uroj shërim të plotë sa më të shpejtë.

E sulme të njëpasnjëshme ndaj zyrtarëve policorë të Kosovës pati muaj më parë. Pikërisht në muajin prill në veri të vendit u raportuan gjashtë sulme radhazi, nga ku u rrezikua jeta e shumë zyrtarëve policorë.

Të njëjtit u sulmuan nga persona të dyshimtë, raste këto të cilat më pas u cilësuan si terroriste. Sulmi i parë ishte me gurë, duke vazhduar më pas me vendosje të iriqëve metalikë në rrugën ku të njëjtit kalojnë çdo ditë për në vendin e tyre të punës.

Duke mos e lënë me kaq, persona të dyshimtë kanë hedhur edhe granata dore (ushtarake), në drejtim të policëve.  Një sulm tjetër ndaj tyre ishte i drejtpërdrejtë. Ndaj zyrtarëve policorë pati të shtëna me armë zjarri të llojit AK-47, dy herë radhazi.

E të gjitha këto sulme ishin mjaftë shqetësuese për qytetarët, por edhe për institucionet drejtuese të vendit. Madje reagime pati edhe nga Bashkimi Evropian. Asokohe në një përgjigje të dhënë për lajmi.net, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano pati deklaruar se dënojnë ashpër sulmet ndaj patrullave policore të Kosovës.

“Bashkimi Evropian dënon ashpër sulmet e fundit ndaj patrullave të Policisë së Kosovës. Policia e Kosovës është ofruesi kryesor i sigurisë dhe çdo përdorim i forcës ndaj policëve të saj është i papranueshëm.”, thuhej në përgjigjen e BE-së.

Sulmet në drejtim të Policisë së Kosovës janë dënuar gjithashtu edhe nga KFOR-i, të cilët kanë theksuar se janë të gatshëm të ndihmojnë Policinë e Kosovës, kurdo që atyre iu kërkohet.

“Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO dënon ashpër sulmet e fundit kundër pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Ne konfirmojmë gatishmërinë tonë për të mbështetur Policinë e Kosovës, nëse është e nevojshme dhe e kërkuar”.

Pas këtyre sulmeve të shënuara ditë ma parë, ministri i Mbrojtjes, Xhelal Sveçla, pati cilësuar se janë sulme terroriste, teksa tha se këto sulme po vinë pikërisht pas vendimeve të shumta që morën institucionet e vendit që të ndalojnë rrugët ilegale që po përdornin serbët në veri të vendit.

“Tashmë po shihet që angazhimi serioz i institucioneve të Kosovës, por posaçërisht i Policisë së Kosovës që të vendos rend dhe ligj në çdo cep të Kosovës është bërë pengesë për Serbinë, për grupet e caktuara të cilat mbështeten drejtpërdrejtë nga Serbia dhe realisht u prish planet të gjithë atyre të cilët Kosovën e kanë parë si çerdhe të krimeve të tyre.”, theksoi ai.

E ngjashëm pati deklaruar edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.

Ai tha se grupe kriminale po vazhdojnë të organizojnë sulme në drejtim të zyrtarëve policorë.
Mehmeti pati thënë se në sulmet e ndodhura më parë pati policë shqiptarë dhe serbë, teksa shtoi se pavarësisht nacionalitetit ata janë zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Drejtori i PK-së, theksoi se të gjithë zyrtarët policorë të Kosovës janë policë, pavarësisht nacionalitetit, por theksoi se në rastet e ndodhura në automjete pati edhe serbë edhe shqiptarë.

Veriu i Kosovës vazhdon të mbetet një nga pikat më të “nxehta” të vendit, sa i përket aspektit të sigurisë. Pavarësisht punës që bëhet nga Policia e Kosovës, vazhdimisht në këtë anë ka patur raportime për funksionim të grupeve kriminale, që së fundi kanë rrezikuar edhe punën e policëve.

Duhet theksuar se Policia e Kosovës në veri shpesh herë ka qenë cak i sulmeve nga grupe të ndryshme, të cilat jetojnë dhe funksionojnë në pjesën veriore të Kosovës.

E sipas drejtuesve të vendit, këto sulme erdhën pikërisht pasi institucionet e Kosovës morën vendim që të mbyllin disa rrugë, që nga serbët po përdoreshin për çështje ilegale.

https://www.facebook.com/KosovoPolice/posts/338316508508614

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here