Rusia ka dërguar një delegacion në Bjellorusi për të diskutuar me palën ukrainase rreth situatës atje.

Por, siç ka raportuar The Guardian, kjo duket të jetë një propagandë e presidentit rus, Vladimir Putin, i cili po pretendon se po mundohet të zgjidhë çështjen në Ukrainë me dialog. Në anën tjetër, pala ukrainase nuk ka shkuar në Bjellorusi për t’u takuar me rusët, e për këtë çështje ka reaguar edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy.

Mëngjesin e sotëm, ai ka thënë se është i hapur për bisedime por jo në Bjellorusi, shtet ky i cili ka mbështetur veprimet e Rusisë në Ukrainë.

Presidenti ukrainas shtoi se bisedimet në Minsk të Bjellorusisë mund të ishin të mundshme nëse Rusia nuk do të kishte sulmuar Ukrainën nga territori bjellorus. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u tha më herët gazetarëve se delegacioni rus kishte mbërritur në Bjellorusi për bisedime dhe “tani janë duke pritur për ukrainasit”.

Ministria e Jashtme e Bjellorusisë njoftoi se kishte përgatitur gjithçka të nevojshme për takimin. Më herët u raportua se ushtria ukrainase konfirmoi se rrëzoi një “raketë me krahë” të gjuajtur në Kiev nga një avion bjellorus Tu-22 këtë mëngjes.

“Forcat Ajrore të Forcave të Armatosura të Ukrainës pak minuta më parë rrëzuan një raketë me krahë të lëshuar në kryeqytetin e Ukrainës nga territori i Republikës së Bjellorusisë nga një aeroplan TU-22”, tha Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, Valerii Zaluzhnyi. “Ky është një tjetër krim lufte i Federatës Ruse dhe Rusisë” shtoi ai.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here