Prokurorja që ngriti aktakuzën për vrasjen ne Deçan: Kishte prova për vrasje të rëndë, por pa arsye më përjashtuan nga lënda

Prokurorja e krimeve të rënda në Pejë, Sahide Gashi, ka thënë ka qenë e bindur se Shaban Gogaj ka kryer vrasje të rëndë në momentin kur e ka privuar nga jeta punëtorin Agonis Tetaj.

Gashi pasi u pyet nëse ka pasur prova për vrasje të rëndë deklaroi se po të mos kishte prova nuk do ta ngriste aktakuzën.

“Në çdo rast dhe edhe këtu përderisa nuk e krijoj bindjen e plotë për veprën që ekziston unë nuk e paraqes aktakuzën”, ka thënë prokurorja Gashi.

Ajo ka shtuar se pa ndonjë arsye janë larguar nga përfaqësimi i këtij rasti me pretendimet se Prokuroria e Pejës ka qenë e njëanshme në këtë rast.

“Me kërkesë të mbrojtësit të Shaban Gogajt, avokatit Besnik Berisha, është kërku përjashtimi im tek kryeprokurori i Pejës, e cila është refuzu. Më pas avokati në Apel ka kërku përjashtimin e gjithë Prokurorisë së Pejës dhe e njëjta është aprovu. Sipas nesh nuk ka pasë asnjë argument që e ka mbështet atë pretendim”, ka thënë Gashi.

Ajo shtoi se po të ekzistonte njëanshmëria e tyre në këtë rast atëherë ajo ose dikush nga Prokuroria e Pejës do të duhej të përgjigjej për përgjegjësi disiplinore mirëpo kjo nuk kishte ndodhur.

“As unë e as prokurorët e tjerë të Pejës nuk jemi thirrur në shkelje të Kodit të Etikës sepse në qoftë se jemi të njëanshëm na ish dashtë me u përgjigj mirëpo nuk na kanë thirrë në përgjegjësi e as nuk është iniciuar ndonjë procedurë disiplinore kundër nesh mbi këtë bazë”, tha Gashi.Ajo refuzoi të komentojë veprimet e prokurorit Agron Uka, i cili ia ndryshoi kualifikimin juridik veprës penale për të cilën po akuzohet Shaban Gogaj.

Pas këtyre deklaratave, KALLXO.com ka provuar të kontaktojë edhe ish-kryeprokurorin e Apelit, Haxhi Dërguti, i cili e kishte përjashtuar Prokurorinë e Pejës nga ky rast mirëpo i njëjti nuk e ka hapur telefonin.

Publikimi i videos së vrasjes së një të riu në vendin e tij të punës e shokoi opinionin publik në Kosovë.

Video e vrasjes së Agonis Tetajt në kompaninë “Gogaj AG” u bë publike nga prindi i të ndjerit pasi prokurori Agron Uka e lehtësoi veprën nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia.

Isuf Tetaj përmes një shkrimi publik drejtuar kryeprokurorit të shtetit, mediave dhe ambasadave ka shprehur pakënaqësinë e tij me veprimin e prokurorit, i cili e konsideroi vrasje nga pakujdesia rastin e vrasjes së djalit të tij.

Për vrasjen e Agonis Tetjat po akuzohet Shaban Gogaj.Sipas aktakuzës se Prokurorisë së Pejës, më 23 shtator të vitit 2018, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj merr një telefonatë nga një person tjetër dhe me të përfunduar bisedën, e ndërron karrigen dhe nga sirtari nxjerr revolen e tij të tipit “Beretta”.

Aktakuza përshkruan se pas nxjerrjes së revoles Shaban Gogaj e vendos karikatorin dhe e merr në shenjë të ndjerin Agonis Tetaj në kokë dhe e qëllon duke e lënë të vrarë.

Pasi kjo aktakuzë u ndryshua nga prokurori Agron Uka duke e cilësuar këtë vrasje si nga pakujdesia i akuzuari Gogaj e pranoi fajësinë.

E pas pranimit të fajësisë, avokati Besnik Berisha deklaroi se kualifikimi i ri i prokurorit e reflekton të vërtetën që ka ndodhur në ditën kritike.

“Ky kualifikim juridik reflekton gjithçka çka ka ndodhur ditën kritike, identiteti i kësaj aktakuzë është drejtësia e munguar gjatë gjithë hetimit deri më sot”, tha avokati Berisha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *