Qeveria e Kosovës ka shtyer për 1 muaj vendimin për vendosjen e masës së reciprocitetit ndaj Serbisë për zëvendësimin e targave të automjeteve dhe dokumenteve të udhëtimit sipas kërkesës së qeverisë së SHBA-ve.

Ky vendim vjen pas një takimi që kryeministri i Kosovës Albin Kurti, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, zv.kryeministri Besnik Bislimi e kryediplomatja Donika Gërvalla Schwarz patën në këto orë të vona me ambasadorin amerikan Jeff Hovenier. Në njoftimin e qeverisë për shtyerjen e këtij vendimi thuhet se më datë 1 gusht, pra sot, do të hiqen barrikadat në veri. Mbetet të shihet se cili do të jetë epilogu i gjithë kësaj.

Ky është njoftimi i qeverisë:

Qeveria e Republikës së Kosovës dënon bllokimin e rrugëve dhe të shtënat në veri të Kosovës
Prishtinë, 31 korrik 2022
Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër bllokimin e sotëm të rrugëve në veri të Kosovës dhe të shtënat nga njerëz të armatosur të strukturave ilegale atje. Bëhet fjalë për tendencë për destabilizimin e Kosovës dhe rrezikimin e paqes dhe sigurisë së qytetarëve dhe vendit tonë. Akte agresive të shumta ka pasur në pasditen dhe mbrëmjen e sontme të nxitura e të përgatitura nga Beogradi zyrtar.
Kryeministri Kurti së bashku me Presidenten Osmani dhe zëvendës kryeministrat Bislimi e Gërvalla kanë zhvilluar kontakte e takime me faktorët ndërkombëtarë amerikanë dhe evropianë. Me këtë rast, Qeveria e Kosovës jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të datës 29 qershor 2022, deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës.
Falenderojmë partnerët ndërkombëtarë, në veçanti ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier, për angazhimin dhe kontributin.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here