Rama reagon pas publikimit të hartës së Vuçiq: Hartë leshi nga ai që luan me kukulla në Facebook

Në Qendrën e Vaksinimit në Kukës, sot ka filluar vaksinimi i 250 punonjësve shëndetësorë. Nga këtu, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është zotuar se do të bëjnë vaksinimin e 11 mijë punonjësve esencial, në rast se Kosova nuk arrin të sigurojë vaksinën anti-Covid. Rama ka reaguar edhe pas publikimit të hartës së Kosovës me flamurin e Serbisë, duke thënë se ajo është një harta leshi, nga shoku i Beogradit.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nga Kukësi ku inspektoi procesin e vaksinimin atje, theksoi se ka kohë që ia kanë bërë të ditur MSh-së në Kosovë se janë të gatshëm për të kontribuar në vaksinimin e kosovarëve. Por, që siç tha kontratat me kompanitë e vaksinave janë shumë strikte dhe nuk lejojnë ri-eksportimin.

“Kjo është edhe arsyeja që kur morëm atë sasinë e parë në fillim nga një shtet mik, nuk e nxorëm asnjëherë emrin për të mos fituar një sherr miqtë me kompaninë. Ndërkohë në këtë rast do të ishte evidente, sekret nuk do të mund të bëhej dhe do të kishim penalitete të forta. Unë ju kam thënë edhe në fillim ejani në Kukës, në fund të fundit është një vend i përbashkët, sepse përtej faktit që kemi dy shtete dhe një kufi është e natyrshëm sepse Kukësi mund është një bazë e përbashkët”, tha Rama.

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq publikoi një hartë të Kosovës, të mbuluar me flamurin serb. Për këtë ka reaguar edhe Rama, duke e quajtur hartë “leshi”.

“U vonua pak pala tjetër, por më mirë kështu që ndodhi pas hartës së leshit që nxori dje ai shoku në Beograd, duke lozur me kukulla në facebook. Ne jemi një e ardhmja dihet se cila është. Atë ëndërrojmë dhe punojmë të gjithë. Në të tashmen jemi absolutisht një. Dhe jam shumë i lumtur që e kemi qarë atë bllokadën e tmerrshme të pamundësisë për t’u vaksinuar të Kosovës. Presim një sasi të konsiderueshme së shpejti dhe menjëherë dhe do të shkojmë më tutje, mjekët, infermierët dhe punëtorët shëndetësorë të Kosovës nuk do i lëmë vet me shpresë që inshallah do të shkojnë edhe në Kosovë vaksinat. Në ndërkohë jam informuar se janë 11 mijë punëtorë esencial dhe 11 mijë do i bëjmë”, shtoi ai.

Ndërsa, kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla ka uruar që shumë shpejt Kosova të sigurojë vaksinat.

“Më lejoni nga zemra dhe thellësia e shpirtit të shpreh falënderimin për kryeministrin Rama dhe të gjithë popullin shqiptar që sot filluam edhe ne më në fund vaksinimin e punëtorëve shëndetësorë të Republikës së Kosovës. Si i vetmi vend i cili ka qenë pa vaksinë. Nuk do e zgjati shume sepse emocionet po e bëjnë te vetën dhe me i pa këto fytyra kaq të gëzueshme sot që po e marrin vaksinën. Falënderimi ynë shkon se të jetë një mësim se ne mundemi së bashku. Dhe vëllau vëllaun nuk e len. Zotëri Rama ju sot keni dhënë një mesazh të qartë se si bëhet një shtet”, tha ai.

Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës ka njoftuar në ditët në vijim do të vazhdohet edhe me 250 të tjerë.

Këto vaksina janë donacion nga Shqipëri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *