Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian iu janë shterur burimet e durimit me qeverisjen kosovare të kryeministrit Albin Kurti si duket.

48 orët e ofruara ishin ‘të mbajtjes’ e pas tyre pritet një e izolimit me ‘30 ditë paraburgim’, nëse s’ka përparim. Mos liberalizmi i vizave ishte shenja e parë. Kërkesa është e qartë tani për pritjet nga ai, siç i është bërë e ditur që nga fillimi –

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe – e sot e përsëriti veterani i diplomacisë Amerikane, Christopher Hill, i cili të mërkurën e zhvlerësoi tërësisht në trivialitet prioritetin e çështjes së targave dhe me të edhe qasjen predikuese të qeverisë kosovare.

Presidenca çeke e BE’së ka konfirmuar sot se propozimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, i cili parasheh lëvizjen e lirë jo më larg se data 1 janar e vitit 2024 është hequr nga agjenda e takimit të sotëm të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE’së.

Çështja e liberalizmit të vizave asnjëherë s’ishte ndërlidhur me dialogun Kosovë – Serbi nga Bashkimi Evropian, publikisht jo. Dhjetëra herë ishte konfirmuar se Kosova ka përmbushur obligimet dhe e meriton liberalizimin e tyre. Refuzimi i vazhdueshëm i tyre sa herë që ka krizë politike e ngecje në dialog pak kë do ta bindin tani se qenka një rastësi kjo çështje. Pas të mërkurës më jo. Kjo është ndëshkim tani.

Qasja e bashkësisë ndërkombëtare tani po shihet se kanë kaluar nga faza e menaxhimit të krizave në zgjidhjen e tyre, me pahir apo jo. S’po e ndjejë këtë presion që po e përmendin thoshte Albin Kurti derisa tallej me gazetarët kosovarë. S’dihet nëse ka rima mjaftueshëm të hijshme për t’u nxjerrë nga ky ndëshkim i BE’së, kot viktimizimi i mundshëm se evropianët janë hileqar. Po amerikanët të cilët dy herë e nxorën nga kriza në mesnatë e që kanë rolin kryesor tani a janë hileqar ? Këta të njëjtit si duket kanë bindur edhe BE’në se për targa nuk do të flasin më liderët Kurti dhe Vucic, kjo është për Bislimin e Petkovic e s’ka hapësirë aty për lojëra, të gjendet kompromisi shpejt.

Ambasadori Amerikan Christopher Hill, që e kthyen nga pensioni komod administrata Biden me synim dukshëm të qartë për t’u kthyer në Ballkan edhe një herë për të përmbyllur çështjen Kosovë-Serbi, ka kaluar në ofensivë këtë javë dhe nuk po kursehet. Hill më qartë nuk mund ta thoshte të mërkurën, sa çështje e parëndësishme janë targat në Veri për gjithë këtë krizë, e cila do zgjidhet dikur dhe se nuk e kanë ndërmend të merren me çështje koti kur ka për çka të bisedohet e agjendë për të shtyrë përpara.

Kryeministri Albin Kurti për fatin e tij të keq ka investuar shumë në këtë çështje, duke e ndërlidhur me sundimin e ligjit e luftimin e korrupsionit. Kjo aq keq i ka dështuar tani pasi që iu vlerësua ‘sundimi i ligjit’ nga partnerët ndërkombëtarë vetëm si një shkas për nxitjen e trazirave në Veri. Siç e theksoi drejtpërdrejtë të hënën Josep Borrell ndërsa sot Hill që theksoi se serbët në Kosovë duhet të kenë të qartë vizionin për të ardhmen e tyre në Kosovë.

Lëre që ia mohuan pretendimin Kurtit për vendosjen e sundimit të ligjit e luftimit të korrupsionit që aq shumë e ka proklamuar por ia kanë zhvlerësuar edhe në jug si arritje politike të proklamuar, pasi nuk mund të jesh i drejtë në jug të Ibrit kur nuk je në veri të tij.

Tërë karrierën politike Albin Kurti ka predikuar me moralizime e aforizma në performanca rrugore të skajshme që rezultuan edhe në fatalitet. Në kuvend e futi dhunën që e eskaloi deri në sulm me bazukë nga dikush. Të gjitha në emër të luftimit për njëfarë ‘republikë të tretë’ sipas imazhit të tij. Ky imazh i liderit të palëkundur është tundur fort në themele, pasi s’ka njeri në botë pa të meta, as fanatikët. Ama fanatikëve kur iu shpërthejnë të metat në shesh i lëkunden themelet deri në shembje të gjithçka që ka mbi to.

Kjo ‘republika e tretë’ e Kurtit që luftoi LDK’në e Ibrahim Rugovës dhe PDK’në e rezistencës së armatosur të UÇK’së, tani është në luftë me Bashkimint Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilave po ua hedh në ujë planet afatgjate, që me dekada i kanë punuar e manovruar që të sjellin procesin deri në tavolinën e Brukselit, ku Kosova dhe Serbia ulen si palë e duke e theksuar marrëveshjen gjithëpërfshirëse e ligjërisht të obligueshme si cak të fundit. Njohja e ndërsjellë që ishte thënë nga Amerikanët tani nuk mohohet nga Evropianët. Dy nga pesëshja e BE’së që s’njohin Kosovën flitej hapur se ishin afër ta njohin. Nëse Greqia dhe Spanja do ta njihnin çfarë do ta pengonte Qipron e tjerat. Izraeli e njohu Kosovën me këtë diplomaci dhe i hapi rrugë të na njohë edhe Vatikanit. Tani më jo.

Kryeministri Kurti është ulur në tavolinë si partner pas vitesh në skaje të politikës kosovare dhe i konsideruar si palaço sipas disa zyrtarëve amerikanë dikur. I kreu obligimet kozmetike që të mos dukej si fanatik dhe e pranuan në tavolinë. Madje i ndihmuan partnerët të fitonte zgjedhjet, këta hileqarët evropianë më së shumti, që i frynin narracionit se Kurti u keqtrajtua nga amerikanët e Trump.

Administratën Trump e zëvendësoi ajo e Biden, që e vuri gjithë arsenalin pas çështjes së arritjes së marrëveshjes përfundimtare. Një Emisar të Posaçëm me Gabriel Escobar, dy ambasadorët me peshë të madhe si Jeffrey Hovenier dhe Chirstopher Hill. BE’ja vazhdoi me Miroslav Lajcak që e trajtonte miqësisht për dallim nga ish presidentin Hashim Thaçi. Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar dërguan emisar të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi. Aq të rënda ishin lëvizjet perëndimore sa Rusia dërgoi diplomatin e tyre më të aftë në Beograd, Aleksandr Botsan-Kharchenko.

Vucic po dridhej e çdo konferencë për shtyp aktronte sa mundte herë viktimën e përulur e herë nacionalistin e egër. Manovroi andej e këndej dhe e përballoi edhe presionin që të braktiste miqësinë me Rusinë kur këta sulmuan Ukrainën.

Si e përballoi Vucic gjithë atë presion? Nuk janë të paktë edhe në Kosovë që mendojnë se një dorë ndihme ia dha me gabimet e tij edhe kryeministri Albin Kurti që insistonte se Vucic është një Putin i vogël e ai një Zelensky ballkanas në narracionin e tij. Pastaj Kurti këmbënguli për targa. Edhe pas vërejtjeve të partnerëve se po ia prishte vetes narracionin me këtë lëvizje. Ndërhyri Jeff Hovenier e shtyu atë çështje herën e parë, edhe pse ia validonin si çështje e sundimit të ligjit. Erdhën më pas po amerikanët para se të shpërthente përsëri e i thanë të mos ngul këmbë e ta shtyjë për nja dhjetë muaj se ka një angazhim dhe kornizë propozim për zgjidhje afatgjatë, plus konsensus mes Gjermanisë e Francës për fundin e dialogut, një gjë e rrallë kjo në BE.

Këmbënguli në të veten dhe shpiku ca faza aty qortimi, gjobitjeje dhe caktoi afat përsëri. Të gjitha iu kthyen kokës. Serbët braktisën institucionet dhe hoqën uniformat e Kosovës dhe veshën ato të ‘rojeve të urës’ të dikurshme. Ndryshoi narracioni përnjëherë për Kurtin, tani viktimat janë qytetarët serbë në Veri dhe ai që po i përndjekë, ironike kjo derisa s’ka në kontroll terrenin fare.

Shkoi në Bruksel dhe këmbënguli përsëri të hënën dhe doli nga aty i zemëruar e i zhgënjyer jo që dështoi të gjente zgjidhje, por që ia shembën gjithë narracionin e ‘republikës së tretë’. Kërkoi ndihmë nga SHBA’ja të hënën në mesnatë dhe ia ofruan, shtyrjen prej 48 orësh.

Të mërkurën e dënuan me mos liberalizmin e vizave BE’ja ndërsa SHBA’ja ia bëri me dije se ky narracioni i targave si simbolikë e sundimit të ligjit ka marrë fund, ka punë të mëdha për të kryer dhe obligime për të përmbushur.

Ata që e pranuam si partner në tavolinë dhe e ndihmuan që të arrinte të ulej aty, në nëntor ia bënë me dije se është dëshmuar dhe konsiderohet si partner i keq. Aleksandar Vucic doli nga gjithë kjo me lëvdatën konstruktiv si nga SHBA dhe BE. Askush nuk po ia përmend më sanksionet ndaj Rusisë. Kosovën hapur e ndëshkoi BE me shtyrjen e liberalizimit të vizave, Serbinë me një rezolutë simbolike të Parlamentit Evropian si një kërcënim të mundshëm për të ardhmen.

Të gjitha investimet e pamohueshme diplomatike të SHBA’së dhe BE’së për Kosovën, një partner i keq nuk mund t’i rrezikojë, jo tash kur flitet për marrëveshje gjithëpërfshirëse përfundimtare. Si do të zgjedhë Kurti të dalë nga kriza e Veriut të mërkurën do të mësohet pas takimit Bislimi- Petkovic për targat. Nëse vazhdon me kokëfortësi me narracionin e tij, partnerët e tij ndërkombëtar do ta vendosin atë në kolonën e investimeve të këqija dhe do ta injorojnë.

Megjithatë, ndëshkimin më të rëndë do ta pësojnë kosovarët, të gjitha etnitë, ajo shumica shqiptare që investoi me shumicë shpresën e tyre në këtë njeri dhe pakicat e tjera që do të vuajnë pa investuar fare. Të izoluar dhe injoruar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here