48 policë kufitarë u arrestuan gjatë javës si të dyshuar për korrupsion e keqpërdorim të detyrës zyrtarëve. Por, ky nuk është rasti i vetëm kur zyrtarë policorë përfshihen në afera të dyshuara të paligjshme.
Nga të dhënat që ka siguruar gazeta Nacionale nga Inspektorati Policor i Kosovës, ka rritje të ankesave ndaj policëve të Kosovës.
Statistikat nga IPK-ja: Vetëm në vitin 2021, Inspektorati Policor i Kosovës ka pranuar mbi 2 mijë ankesa që janë bërë ndaj zyrtarëve policorë. Nëse këto statistika, krahasohen me ato të vitit 2020, ka një rritje të numrit të ankesave ndaj policëve për 355. Kjo pasi në vitin 2020 në IPK ishin pranuar 1658 ankesa të ngjashme. Megjithatë, një numër nga këto ankesa, u vlerësuan si shkelje disiplinore, duke u dërguar në Drejtorinë për Hetime të Brendshme në Policinë e Kosovës.
“Gjithësej gjatë vitit 2021 si subjekt i hetimit nga IPK-ja kanë qenë 213 punonjës të PK-së. E shprehur në përqindje i bie që vetëm 2.3% e punonjësve të Policisë së Kosovës janë hetuar nga Inspektorati Policor i Kosovës me dyshimin se kanë kryer vepra penale”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.
Vetëm gjatë vitit të kaluar, Inspektorati Policor i Kosoës i ka hetuar 33 raste të veprave penale me elemente të korrupsionit dhe keqpërdorimeve tjera nga policët. Gjatë gjithë vitit të kaluar, IPK-ja ka kryer 38 arrestime, 85 suspendime dhe 6 transferime për zyrtarët policorë.
Pesë veprat penale më të shpeshta që kanë rënduar mbi zyrtarët policorë janë: keqpërdorimi i detyrës zyrtare, keqpërdorimi i autoritetit zyrtar, lëndimi i lehtë trupor, kanosja dhe dhuna në familje.Në 13 raste policët janë hetuar për veprën penale kanosje, 23 për lëndim të lehtë trupor, 33 raste të tjera për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrave zyrtare, e 27 për keqpërdorim të detyrës ose autoritetit zyrtar.
Nëse flasim për komunat, atëherë më së shumti ankesa dhe zyrtarë policorë të përfshirë në veprimtari të paligjshme, po del se ka Rajoni i Prishtinës me 936 ankesa.
Nga të përfshirët në veprimtari të tilla dhe numri i ankesave në përgjethsi, është drejtuar për zyrtarët e thjeshtë policorë, por në disa raste ato përfshijnë edhe rreshterët, majorët e kategori të caktuara tjera në Policinë e Kosovës.
Statistikat nga Policia e Kosovës
Në tri vitet e fundit, 2019, 2020 dhe 2021, numri i policëve të cilëve iu është ndërprerë marrëdhënia e punës është 82. Kurse, në këtë periudhë tri-vjeçare është 288 zyrtarë policorë janë suspenduar. Këto statistika i ka bërë të ditura Policia e Kosovës. Sipas Drizan Shalës, njohës i çështjeve të sigurisë, thotë se arrestimet e fundit nga IPK-ja, tregojnë se as policët nuk kanë rezistuar nga përfshirjet në veprimtaritë kriminale.
“Arrestimi i ndodhur nga ana e IPK-së tregon faktin që as Policia nuk ka mundur të mbetet imune nga ndikimi i grupeve kriminale për të arritur qëllimin material për veten, duke gjetur menyra dhe hapsira për të krijuar lidhje brenda policisë së shtetit”, ka thënë Shala.
Sipas Shalës, në rastin në fjalë, bashkëpunimi i zyrtarëve policorë ka qenë me një grup në Shqipëri. “Hetimet në lidhje me këtë aksion nuk ndërlidhet me vendime politike por vetëm me elemente profesionale nga informacionet operative që ka mundur t’i gjejë dhe sigurojë IPK-ja edhe përmes bashkëpunimit me AKI-në”, ka thënë Shala.
Për çka dyshohen policët kufitarë?
Gazeta ka raportuar në lidhje me dosjen e policëve të arrestuar ditë më parë. Ata dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, pasi kanë lejuar kontrabandim të mallrave pa e paguar taksën, duke marrë ryshfet deri në 400 euro.
Më 18 dhjetor të vitit të kaluar, njëri nga policët e arrestuar, me inicialet U.M, dyshohet të ketë pyetur një qytetar: “A ka ndonjë kafe a ndonjë send për këta burra a jo?”. Shoferi i një kamioni të vogël me ngjyrë të gjelbër, kishte pranuar kërkesën e policit dhe dyshohet se u ka dhënë para zyrtarëve policorë.
Dy muaj më herët, më 28 gusht pas orës 19:00, një veturë me ngjyrë të zezë ishte ndalur te kabina ku qëndronte polici A.TH, dhe i kishte thënë “i ke në librezë”, ku dyshohet t’ia ketë lënë 300 euro. Pak minuta më vonë, aty kishte ardhur një veturë tjetër e tipit “Ford”, ngjyrë hiri, që kaloi shpejt pa u kontrolluar fare.
Nuk vonoi shumë dhe në të njëjtën pikë kufitare u ndalua një furgon i bardhë, që dyshohet se transportonte 500 kilogramë lëndë narkotike të llojit kanabis sativa. Dyshohet se shoferi ua kishte dhënë nga 100 euro tre policëve që ishin në ndërrim.
Sipas kërkesës për paraburgim, më 15 tetor 2021, policët tani të dyshuar, S.H dhe A.P, kishin marrë nga një qytetar 400 euro, në mënyrë që të lejonin futjen në Kosovë të disa pajisjeve për ashensor.
Sipas Prokurorisë, një banor i fshatit Runik të Komunës së Skenderajt, për të futur 10 arka me kërpudha në Kosovë, dyshohet se i kishte dhënë para policit kufitar A.TH, derisa ai ishte në kabinë për kontrollimin e pasaportave. Ai kishte marrë paratë me dorën e djathtë dhe pastaj e ka regjistruar qytetarin dhe ia ka lejuar hyrjen në Kosovë duke mos iu nënshtruar procedurave doganore.
“Prej muajit gusht deri në muajin dhjetor të vitit 2021 në pikën kufitare Qafë-Morinë, në cilësinë e personave zyrtarë, me dashje dhe në vazhdimësi duke vepruar në mënyrë të organizuar por edhe individualisht, me qëllim të përfitimit material për vete dhe të tjerët, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare. Kjo në atë mënyrë që kanë pranuar ryshfet nga qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë duke u mundësuar të hyjnë në territorin e Kosovës përmes shmangies së pagesave të tarifave doganore dhe vendimet e qeverisë së Kosovës për masat anti-covid, ashtu që kanë pranuar deri në 400 euro ryshfet”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.