Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Udine të Italisë. Një 17-vjeçar kosovar, me inicialet D.B., ka vdekur, si pasojë e hedhjes nga dritarja e Qendrës Strehimore Për të Mitur në qytetin veri-lindor italian.

Shtetasi i ri kosovar kishte migruar i vetëm drejt Italisë gjatë fillimit të vitit, i pashoqëruar nga prindërit. Si rrjedhojë, ai është vendosur nën kujdesin e institucionit që është përgjegjës për të miturit, të cilët nuk kanë pranë vetes prindërit.

Mirëpo, dita e diel ishte e kobshme për të miturin kosovar. Ai u hodh nga dritarja, nga një largësi prej 5 metrave. Menjëherë kanë ndërhyrë kujdestarët e repartit, duke e shoqëruar në terapi intensive të spitalit më të afërt.

Aty ka qëndruar deri në orët e fundit, ku ishte në gjendje kritike dhe në një agoni të rënduar, për shkak të lëndimeve që kishte pranuar. Fatkeqësisht, 17-vjeçari nga Kosova nuk ia doli t’u bëjë ballë lëndimeve të pësuara, duke ndërruar jetë në orët e vona të ditës së djeshme.

Ai kishte migruar për t’i ndihmuar familjes, e cila ndodhet në Kosovë. Tani Prokuroria e Udines ka filluar hetimet rreth shkaqeve që kanë shtyrë të riun kosovar që të hidhej nga dritarja, veprim që i kushtoi me vdekje më vonë.

Lajmin e ka bërë publik edhe vetë institucioni që kishte nën kujdes atë, më gjerësisht Qendra Strehimore Për të Mitur e qytetit përkatës, e njohur ndryshe si “Civiform di Cividale”.

“I pashoqëruar nga prindërit, ai erdhi te ne në shkurt, në kërkim të një të ardhme më të mirë për të dhe familjen e tij, e cila ka mbetur në vendin e origjinës”, shkruhet në letrën ngushëlluese të institucionit në fjalë, i cili shprehi ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe më të dashurit e të ndjerit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here