Sllovakia i ka dhënë Ukrainës sisteme mbrojtëse ajrore S-300 për ta ndihmuar të mbrohet kundër agresionit rus, konfirmoi sot kryeministri sllovak, Eduard Heger, raporton AFP.

Në një deklaratë të postuar në Twitter, Heger shtoi se masa nuk do të thotë se vendi i tij i është bashkuar konfliktit me Rusinë.

“Mund të konfirmoj se Republika Sllovake i ka dhuruar Ukrainës sistemin e mbrojtjes ajrore S-300, pas kërkesës së Ukrainës për ndihmë. Dhurimi i sistemit nuk do të thotë se Republika Sllovake është bërë pjesë e konfliktit të armatosur në Ukrainë”, shkruan kryeministri sllovak.

Zelensky më herët ka kërkuar këso lloj sistemesh, teksa ka biseduar muajin e kaluar me ligjvënësit amerikanë. Ai ka bërë thirrje që t’i dhurohen sistemet S-300, pasi sipas tij, do t’i lejojnë Ukrainës që të “mbyllë qiellin” për avionët luftarakë dhe raketat ruse.

Anëtaret e NATO-s Bullgaria, Sllovakia dhe Greqia kanë sisteme S-300, të cilat mund të hedhin raketa me qindra kilometra larg dhe mund të rrëzojnë raketa dhe avionë luftarakë. Më herët, Sllovakia kishte deklaruar se ishte e gatshme t’i jepte Ukrainës sistemet S-300, por me kusht që ato t’i kompensoheshin.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here