Speciales i pengon fushata “Liria ka Emër” në përkrahje të luftëtarëve të UÇK-së

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë po synon që ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin t’i lë edhe për një kohë të pacaktuar në paraburgim, ani pse nuk ka asnjë indikacion se kur do të fillojë gjykimi ndaj tyre. ZPS ka dërguar sërish disa parashtresa në Gjykatën Speciale me pretendimet e saja për zgjatjen e paraburgimit ndaj krerëve të UÇK-së. Përveç “provave” të pretenduara, Prokuroria atje është marrë edhe me disa çështje krejt të jashtme, që nuk kanë të bëjnë asgjë me procesin ligjor.

Zyra e Prokurorit të Specilizuar të Hagës nuk po e sheh me sy të mirë fushatën “Liria ka Emër”, nismë kjo e inicuar në përkrahje të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shkruan lajmi.net.

Prokuroria e Speciales nuk ka hezituar që këtë ta përmend madje në kundërshtimet për lirimin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. ZPS, në parashtresën e saj nënvizon faktin se “Liria ka Emër” është krijuar menjëherë pas arrestimit të të akuzuarve, dhe se e njëjta ka qenë shumë aktive në muajt e fundit duke marrë vëmendjen masive të opinionit.

“Fushata ‘Liria ka një emër, UÇK’ u krijua menjëherë pas arrestimit të Akuzuarit dhe u bë virale. Kjo fushatë ka qenë mjaft aktive në muajt e fundit, duke demonstruar mbështetjen e gjerë për të Akuzuarit në Kosovë”, thuhet në parashtresën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar ku argumentohen arsyet pse sipas saj nuk duhet të lejohet lirimi i përkohshëm i krerëve të UÇK-së.

Në rastin e Rexhep Selimit, ZPS ka thënë se ata kanë zbuluar një masë të gjerë materialesh, që sipas tyre mund të jenë shtysë që Selimi t’i ikë drejtësisë në rast të lirimit, pasi që sipas pretendimeve të tyre, i akuzuari tanimë është më hollësisht i njoftuar për akuzat.

ZPS vazhdon me pretendimet e njëjta sikurse në shkresat e kaluara, duke pretenduar se Selimi ka një rrjet të gjerë mbështetësish që mund ta pengojnë mbarëvajtjen e lirimit me kusht.

Prokuroria e Hagës aty përmend edhe një deklaratë të Faton Klinakut në një debat televiziv, ku thotë se nëse në OVL UÇK  vijnë dokumente të tjera të Speciales, ato do t’u ofrohen mediave për publikim.

“Më 4 qershor 2021, Faton KLINAKU, kryetari i përkohshëm i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së )dha një intervistë me të cilën ai premtoi se do të botonte dokumente konfidenciale të DSK-së nëse i merrte ato.Kjo është e jashtëzakonshme, duke theksuar se Z. KLINAKU është kryetari i përkohshëm sepse kreu i mëparshëm dhe nënkryetari i UÇK-së së UÇK-së po ndiqen penalisht para KSC-së për sjellje identike. Se ligji nuk është asnjë kufizim për kreun e përkohshëm të UÇK-së, është emblematik e largësisë që mbështetësit e të Akuzuarit janë të gatshëm të shkojnë për të penguar këto procedura, dhe në të vërtetë këtë gjykatë”, thuhet tutje në parashtresën e ZPS-së.

Të njëjtat “prova” të pretenduara nga Prokurorët e Hagës janë përmendur edhe në kërkesën për lirim të Gucatit e Haradinajt, për të cilët lajmi.net raportoi të shtunën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *