Gjashtë sulme ndaj zyrtarëve policorë të Kosovës janë regjistruar brenda javëve në veri të vendit.

E një sulm me armë zjarri në drejtim të policëve të Kosovës në Zubin Potok është regjistruar mëngjesin e djeshëm. Në konfirmimin e dhënë nga Policia e Kosovës për lajmi.net është theksuar se vetura me të cilën po qarkullonin zyrtarët policorë është goditur nga të shtënat me armë zjarri, por që për fat të mirë nuk ka patur të lënduar.

E pas sulmit, një reagim publik erdhi edhe nga Lista Serbe. Të njëjtit thanë se dënojnë sulmin në drejtim të zyrtarëve policorë, teksa porositën serbët në Kosovë që të vetëpërmbahen. E pas kësaj, lajmi.net ka kontaktuar ekspertin e çështjeve të sigurisë, Ramadan Qehaja.

Qehaja deklaroi se në veri të Kosovës, situata e sigurisë nuk është e sigurtë. Ai madje tha se një gjë e tillë ndodhë tash e 20 vite , e që sipas tij tashme ka një devijim edhe më të madh të situatës së sigurisë, për shkak të qasjes shumë provokative dhe negative nga Serbia zyrtare.

“Mirëpo me këto sulmet e fundit, të cilat kanë ndodhur ndaj policisë kufitare të Kosovës, kanë për qëllim që pasi se atje ka filluar një kontroll më i madh i situatës së sigurisë, kohën e fundit të bëhet një luftë speciale ndaj Republikës së Kosovës, ndaj policisë që atje vepron dhe ndaj institucioneve në përgjithësi të Kosovës. Pra, luftë speciale që ka të bëjë me një promovim të tillë, që të merremi vazhdimisht me këso situata të palakmueshme. Mendoj se këto sulme kanë për qëllim të destabilizojnë situatën e sigurisë në vend, pra jo vetëm në veri por në gjithë vendin dhe së treti ndoshta edhe ndoshta jo e fundit, është një parapërgatitje për të parë se çfarë gatishmërie vepruese jemi ne, e në një moment të caktuar të ndërmarrin një sulm të befasishëm, vetëm e vetëm për të depërtuar në lumin Ibër, e për të shkëputur pjesën veriore të Kosovës, që kështu të na vënë para një akti të kryer, pra para bisedimeve që do të kryhen apo që pasojnë.”, tha Qehaja.

Sipas tij, pavarësisht deklaratës së lëshuar nga Lista Serbe, që “dënon sulmin ndaj zyrtarëve policorë”, këto sulme janë mirë të organizuara nga Serbia, e siç tha ai në pjesën veriore asgjë nuk mund të ndodhë “apo s’guxon të ndodhë”, pa parashikuar, apo pa pasur urdhër nga Qeveria e Serbisë.

“Pavarësisht deklaratave deklaratave që Lista Serbe nuk është prapa këtyre ngjarjeve që ajo e dënon këtë situatë e të tjerë, unë kujtoj se këto sulme janë mirë të organizuara dhe drejt një qendre, dhe në pjesën veriore asgjë nuk mund të ndodhë (apo s’guxon të ndodhë) pa parashikuar, pa pasur urdhër nga Qeveria e Serbisë.Pra çka ne duhet të bëjmë në këtë situatë. Në këtë situatë duhet të kemi një bashkëpunim më të ngushtë me KFOR-in dhe institucionet e tjera përfaqësuese në Kosovë, të cilat funksionojnë.Dhe të cilët numerikisht nuk janë të mëdha, por që kanë gatishmëri vepruese, një mundësi të veprimit ushtarak që janë deri tek ajo, e të shpjegohet situata e krijuar pra çdo element të prezantohet, jo vetëm me KFOR-in por edhe me nivelin më të lartë të NATO-s të shpjegojmë se çka po ndodhë çdo ditë këto sulme, kush i organizon dhe çfarë vlerësimi kemi ne. Dhe ne duhet të kërkojmë një bashkëpunim më të ngushtë me KFOR-in që duhet të vihet në dijeni për gjithçka. Pra ata janë për siguri, që të bëjnë një ambient të sigurt edhe ata të veprojnë në atë pjesë të territorit, në bashkëveprim me njësitet tona.”, shtoi Qehaja.

Eksperti i çështjeve të sigurisë në Kosovë, tha se duhet shikuar se çfarë gatishmërie vepruese jemi ne si shtet, pra duke filluar nga Policia e Kosovës dhe më gjerë.

Qehaja theksoi se edhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës duhet të jetë gjithnjë në teren për të siguruar elemente relevante që vlerësojnë situatën e sigurisë në vend.

“Përveç me KFOR-in ne duhet të shikojmë se çfarë gatishmërie vepruese jemi ne, me Policinë e Kosovës, nga policia kufitare, nga policia e rëndomtë e cila vepron atje e deri tek Njësitë Speciale se çfarë gatishmërie janë. E një gatishmëri vepruese të krijohet më e madhe, pra në lëvizje e sipër në mënyrë që të krijojmë veprimet tona të paraparë bazuar në Kushtetutë, e në ligjet në fuqi. FSK duhet që gjithnjë e më tepër të jetë në gatishmëri vepruese, pavarësisht nga ajo se kemi një kufizim për hyrje në atë pjesë të territorit, por pavarësisht kësaj duhet të jemi në gatishmëri që në momentin e duhur të veprohet nëse kjo shtrohet si nevojë. Pra duhet pasur gatishmëri edhe nga mbrojtja civile nëse kjo vihet në nevojë, e AKI-ja duhet patjetër të jetë e tëra në teren vetëm e vetëm për të siguruar elemente relevante që kanë të bëjnë me vlerësimin e situatës së sigurisë e politike në vend.”, tha ai.

Zyrtarët policorë të Kosovës u sulmuan për pesë herë radhazi më parë, duke filluar nga sulmi me gurë, më pas vendosja e iriqëve metalikë në rrugën ku ata duhet me patjetër të kalojnë për të shkuar në vendin e punës, e më pas edhe me hedhje të granatave ushtarake.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here