Shefi i sektorit për hetimin e krimeve të luftës në Policinë e Kosovës, Avni Vrajolli, ka thënë se sfidat e këtij institucioni janë të mëdha sa i përket ndjekjes penale të rasteve të krimeve të luftës, pasi sipas tij 99 për qind e të dyshuarve gjenden në Serbi.

Vrajolli ka thënë se vështirësi tjetër është edhe periudha e gjatë e hetimit në kompetencë ekskluzive nga ndërkombëtarët, për 20 vite këto raste janë hetuar nga misionet UNMIK-EULEX.

“Sa i përket hetimit dhe dokumentimit të rasteve të krimeve të luftës pengesat-vështirësitë janë procedurale- kriminalistike, si: Periudha e gjatë e hetimit në kompetencë ekskluzive nga ndërkombëtarët, për 20 vite këto raste janë hetuar nga misionet UNMIK-EULEX, Materialet kryesisht në gjuhën angleze, pjesa dërmuese të pa përkthyera, Dallimi i metodologjisë së punës nga ndërkombëtaret në këto raste, numri i vogël i rasteve të dorëzuara nga ndërkombëtarët tek ne”, ka thënë Vrajolli.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Vrajolli ka thënë se aktualisht Kosova ka marrëveshje rajonale bashkëpunimi me shtetet fqinje si Malin e Zi, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, me përjashtim të vetëm Serbinë.

INTERVISTA E PLOTË:

Cilat janë ngecjet aktuale? – sa i përket procesit të rasteve të krimeve të luftës

-Ngecjet aktuale në procesin e dokumentimit të rasteve të krimeve të luftës janë mos prioritizimi i segmenteve institucional në dokumentimin, dhe ndjekjen penale të rasteve të krimeve të luftës (prokurori-hetuesi, dhe mekanizma tjerë), -Pamundësia e bashkëpunimit rajonal me Serbinë ku 99% të të dyshuarave strehohen dhe gjenden në Serbi,

-Pamundësia e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar e mekanizmave të drejtësisë së Kosovës me Serbinë, -Vështirësia dhe pamundësia (procedurale) e zhvillimit të gjykimeve në mungesë, -Diferenca e madhe e numrit të viktimave, numrit të incidenteve (masakra, vrasje dhe v.p/krime tjera) me numrin e hetuesve-prokurorëve. Etj.

EO: Cilat janë vështirësitë? – për hetimin e këtyre krimeve

Avni Vrajolli: Sa i përket hetimit dhe dokumentimit të rasteve të krimeve të luftës pengesat-vështirësitë janë procedurale- kriminalistike, si:

-Periudha e gjatë e hetimit në kompetencë ekskluzive nga ndërkombëtarët, për 20 vite këto raste janë hetuar nga misionet UNMIK-EULEX, -Materialet kryesisht në gjuhën angleze, pjesa dërmuese të pa përkthyera, -Dallimi i metodologjisë së punës nga ndërkombëtaret në këto raste, -Numri i vogël i rasteve të dorëzuara nga ndërkombëtarët tek ne, -Mungesa e dëshmive-provave, (përfshi mungesën e ekzaminimeve, pa vendshiqime të kohës reale, etj),

-Vdekja, mplakja dhe sëmundjet (e viktimave-mbijetuarve, e dëshmitareve/okular, dhe e të dyshuarve), -Humbja e kujtesës-memories për ngjarjet-rrethanat e rastit, -Pamundësia e Identifikimi të dyshuarve –apo identiteti i plotë, -Mungese e kartelave te identitetit te personave te dyshuar (foto dhe gjurme gishtash),

-Pamundësia e Vërtetimi të alibisë, -Mungesa e informacioneve – bashkëpunimi regjional dhe ndërkombëtar, -nga misionet paraprake disa raste dosje janë transferuar për hetim dhe gjykim në Serbi etj, -Trajnimet profesionale për hetuesit,

-Pajisjet teknike – logjistike, -Mos transferimi i bazës se te dhënave për krime lufte nga Eulex-i (e krijuar nga viti 1999 deri dhjetor 2018, si mjet pune), dhe -Aspekte tjera, si mosha e stafit-hetuesve, shkollimi/përgatitja profesionale, dhe mosnjohja e gjuhës angleze-serbokroate,…etj etj.

Sa është i vështirë arrestimi i kryerësve të krimeve të luftës?

Avni Vrajolli: Arrestimi i të dyshuarave apo personave në kërkim, për veprat e krimeve të luftës është sfidues për policinë/hetuesit, bazuar në faktin që pothuajse të gjithë të dyshuarit e krimeve në Kosovë gjatë luftës çlirimtare (1998-1999) gjenden dhe strehohen në Serbi. Në raste të caktuara nga angazhimi maksimal dhe informacionet operative arrihet të kryhen edhe arrestime të caktuara, apo edhe ndonjë rast i ekstradimit nga shtetet të cilat Kosova ka marrëveshje bashkëpunimi (në fushën e drejtësisë).

Në rastet me te shpeshta ku gjinden te dyshuarit?

Avni Vrajolli: Kryesisht në Serbi. Në ndonjë rast të rrallë edhe në shtetet të cilat nuk kanë njohur Kosovën dhe nuk ka marrëveshje Ekstradimi.

Cili është bashkëpunimi rajonal?

Avni Vrajolli: Kosova, konkretisht Policia e Kosovës ka marrëveshje rajonale bashkëpunimi me shtetet fqinje si Malin e Zi, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, me përjashtim të vetëm Serbinë.

Sa persona  janë te dyshuar  momentalisht?

Avni Vrajolli: Në hetimet dhe ndjekjen penale të rasteve të krimeve të luftës nuk mund të flitet për numër të personave të dyshuar, me përjashtim se të dyshuarit janë ish pjesëtare të UJ (ushtrisë Jugosllave, eprore, oficer, ushtarak e paraushtarak/paramilitar ), MUP (policisë) dhe serb lokal të mobilizuar në operacione luftarake.

Sa janë te trajnuar anëtarët e PK në zbulimin e rasteve? – cilat janë vështirësitë qe ata i hasin

Avni Vrajolli: Hetuesit kanë trajnimet bazike për hetime të veprave penale (krimeve të përgjithshme), por mungon profilizimi me trajnime adekuate për hetim të krimeve të luftës.

Cili është bashkëpunimi me institucionet e Kosovës?

Avni Vrajolli: Bashkëpunimi i Policisë me institucionet vendore është në nivelin e duhur (akterët si PSRK, KQPZh, IML) ndërsa me  KLMDNJ, FDH, KNKK  etj përfshi OJQ-të që merren me dhunën seksuale gjatë luftës dhe personat e zhdukur të dhënat për krime lufte janë mbledhë nga burime të ndryshme dhe janë mbajte pa u centralizuar në një institucion të vetëm.

Cilat janë kërkesat e juaja drejtuar ‘atyre’-institucioneve?

Avni Vrajolli: Në përgjithësi, për zhvillim të hetimeve dhe ndjekje penale të suksesshme nevojitet/kërkohet nga mekanizmat kompetent, zhvendosja e kësaj fushe nga “politike” në teknike në mënyrë që të trajtohen denjësisht rastet e krimeve të luftës. Prioritizimi i procesit të dokumentimit të krimeve të luftës në të gjitha mekanizmat/institucionet. Krijimi i bashkëpunimit (marrëveshjes dypalëshe) Kosovë – Serbi, apo funksionalizimi i ndihmës juridike ndërkombëtare (me Serbinë),  si dhe jo më pak e rëndësishme. Ngritja e kapaciteteve njerëzore (hetues profesional-prokuror) dhe teknike (pajisje logjistike).

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here