Rrëfime lufte nga Haqif Mulliqi: Në pranverën e përgjakshme të vitit 1999, kur dy të tretat e shqiptarëve të Kosovës me përdhunë ishin dëbuar nga trojet e tyre historiko-etnike, duke bërë rrugën e golgotizimit të tmerrshëm.

Raportimet e gazetarëve, pak javë para fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe për ta penguar atë që e thanë ata: gjenocidin serb në Kosovë, një emër shumë i përfolur nga radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte ai i gjeneralit, Agim Çeku.

Çeku, një hero i luftës në Kroaci i ishte bashkuar ushtrisë sonë dhe ishte emëruar Shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Jo vetëm mua, por besoj shumëkujt iu bë zemra mal, ngase, realisht, në krye të formacioneve çlirimtare ishte një ushtarak me aq përvojë lufte, ndërkohë që gra e burra të Kosovës, tashmë ishin regjur nëpër beteja të vazhdueshme kundër pushtuesit.

“Kush është ky, Agim Hasan Çeku”, më pyeti miku im, Rrahman Dini gjatë kohës sa po qëndronim në Zllashë ku Brigada 153 e Zonës Operative të Llapit, tashmë kishte marrë fizionomi dhe ku e kaloja një periudhë të hetueshme të kohës edhe unë.

Unë u përgjigja disi shkurt dhe në mënyrë mjaftë të kondensuar, ngase kisha lexuar dhe dëgjuar mjaft shumë për A. Çekun, për të cilin, disa kroat më kishin thënë me një rast se ishte një legjendë e gjallë e luftës së tyre për liri. Por, për të qenë i sinqertë, nuk e kisha ndonjë informacion se prej nga ishte, ndërsa ma merrte mendja se duhej të ishte prej Zahaqit, meqë një mik imi me të njëjtin emër ishte nga ai fshat. Por, më pas, e mora vesh se, në fakt, Agim Çeku ishte nga Çyshku, një fshat që ndodhet vetëm pak kilometra pa hyrë në Pejë, andej nga drejtimi i Prishtinës, e i cili, në kohën e fillimit të bombardimeve, me disa fshatra të tjera fqinjë, kishte ngelur në zonën brenda rrethit të ferrit të mallkuar serb.

Vetëm një kilometër mbi fshat, Fabrika e Baterive Industriale të Pejës ishte shndërruar në një bazë të madhe të policëve, ushtarëve dhe paramilitarëve serbë, të gjithë çetnikë e gjakpirës të llojit më të ndyrë, prej nga vëzhgohej fshati çdo lëvizje e banorëve të këtyre fshatrave. Në anën e kundërt, Çyshku ndahej vetëm me lumin Bistrica nga Gorazhdeci, fshat ky kryesisht i populluar me serbë, numri më i madh i të cilëve ishte i inkuadruar në radhët e njësiteve famëkëqija paramilitare që bënin kërdi nëpër Dukagjin duke kryer krime të pashembullta mbi popullatën civile shqiptare. Ndërsa, përbri fshatit kalonte rruga e asfaltuar që kontrollohej rreptësisht nga policë, ushtarë dhe paramilitarë të tërbuar. Por, vështirësi për banorët e Çyshkut paraqiste edhe një fakt: numri i madh i njerëzve që ia kishin dalë disi të iknin nga fshatrat tjera, që ishin bërë shkrumb e hi, e të cilët kishin gjetur strehim këtu. Këtë, në një bisedë telefonike që kisha me mikun tim, Berat Luzhën, në bazë të informacioneve që kishin arritur tek Radio Kosova e Lirë, e që e kishin përcjellë njerëzit e UÇK-së. Miku im shumë i mirë, Berati, me të cilin njiheshim prej shumë vitesh, e me të cilin, për herë të parë, kur i ishte bashkëngjitur UÇK-së, ishim takuar në Galicë, në odën e mikut tonë të përbashkët, Bedri Tahiri, më thirri në telefonin satelitor të shtabit të Brigadës 153, me kërkesë që t’ia shkruaja një reportazh për situatën e përgjithshme në Gollak, ku, të ndjekur nga hordhitë serbe, kishin gjetur strehim disa dhjetëra mijëra njerëz.

“Po, ç’bëhet në pjesë të tjera të Kosovës”, e pyeta unë, Beratin.

“Situata është e nderë, gjithandej”, ma ktheu ai. Është bërë një masakër e madhe në Qirez, ndërsa e rrezikshme paraqitet situata në disa fshatra të Pejës, ku, të thuash, njerëzit kishin ngelur të ngujuar”.

Berati më foli edhe për një rrezik që shfaqej në Rugovë, ngase ishin lajmëruar grupime të ushtrisë armike, në pjesën e Malit të Zi, ngase, asnjë përpjekje për tú ngjitur serbët në ato male, nga an e Pejës, nuk kishte rezultuar e suksesshme.

“Shkau besë nuk ka”, më tha miku im.

“Po, saktë, ia ktheva unë”.

Pastaj ngjarjet rodhan ashtu si rodhan: me shumë krime, masakra dhe përndjekje të shqiptarëve. Dhe, më 14 maj, ditë e premte, ushtarakë dhe paraushtarakë serbë, të udhëhequr nga paramilitarët vendorë, siç edhe pritej, e sulmuan Çyshkun nga të gjitha anët e përmendura më lart.

“Ata, si të çmendur, shtinin gjithandej”, më tha, më vonë, një burrë i shtyrë në moshë, dëshmitar i ngjarjeve në ditën e përmendur. Ai rrëfen se, sulmi u bë mbi lagjen e Çekajve, të Deçanëve, të Hasanbeqëve dhe të Vokshëve, të thuash në të njëjtën kohë. Meqë nuk kishte rezistencë, mundësia që me një shpejtësi të madhe të pushtohet Çyshku ishte e besueshme. Serbët lëvizin goxha shpejt duke u futur nëpër lagje, dhe, duke filluar që burrat tí marrin peng duke i ngujuar nëpër shtëpi të veçanta, të cilat njerëzit e këtyre anëve filluan tí përjetojnë si “dhoma të vdekjes”.

“Ju e thirrët NATO-n, e ne do t’iu therim si qengjat”, çirreshin çetnikët e hardallosur duke shtyrë dhe rrahur burrat e paarmatosur.

“Fyerjet e tyre për Klintonin, NATO-n dhe UÇK-në nuk kishin të sosur”, rrëfen Hazir Isuf Berisha, njëri prej çyshkasve që pati fatin e madh t’i shpëtojë masakrës serbe në këtë fshat, e cila ndodhi mu atë ditë, do të thotë në ditën e katërmbëdhjetë të majit të sivjetmë.

RRËFIMI RRËQETHËS

Ditën kur e vizitova Çyshkun, kudo në fshat shiheshin gjurmët e krimit të madh serb. Ndërsa, njeriun që e kishim kërkuar për ta regjistruar rrëfimin e tij në këtë shkrim, pra Hazir Berishën, e gjeta në shtëpinë e tij, ku po llafosej me të ëmën e tij, po ashtu dëshmitare e krimit serb aty, Xhene Berishën.

“Shkijet, si bisha të çartura, u vërsulën mbi fshatin tonë”, nisë rrëfimin e tij të dhembshëm dhe tejet dramatik Haziri, teksa po i lëvizte me një çikë nervoze patericat e tij me të cilat ia del të lëvizë më mirë. “Kur nisën të shtënat, unë gjendesha në shtëpi dhe, sapo i kam dëgjuar krismat e para, kam dalë nga shtëpia dhe kam shkuar që ta takojë fqinjin tim, Halitin. Unë nuk e dija se a i kishte dëgjuar ai të shtënat dhe doja ta bëja me dije që të largohej nga shtëpia se po vinin shkijet”, kujton Haziri.

Mirëpo, kur shkon diku, ndonjë 300 metra larg shtëpisë së tij, Haziri takon një bashkëfshatar tjetër, i cili i thotë se shkijet, tashmë, ia kishin vrarë babën, kështu që ky e kupton se e kishte të pamundur të shkonte tek Haliti. Andaj, Haziri vendos, me shpresë se mbase shpëton, kthehet andej nga lagjja e Hasanbeqëve. Aty takohet me shumë bashkëfshatarë të tij dhe të strehuar nga fshatrat tjera, të cilët tashmë po orvateshin të bënin një lloj plani për të shpëtuar nga vdekja, e cila po trokiste në dyert e secilit prej tyre.

Në fakt, edhe pse kishte ndonjë ide se këta duheshin kundërvënë shkijeve, me ato pak armë sa kishin, megjithatë, mendimi i shumicës ishte se, për t’i shpëtuar familjet, më e rrugës do të ishte të mos bëhej ndonjë rezistencë e armatosur, por, po qe nevoja, të gjithë të dorëzoheshin.

Dhe, nuk kaloi shumë kohë dhe shkijet nisën t’i thërrasin fshatarët që të dorëzohen. Fshatarët, vendës dhe të ardhur në Çyshk, ashtu sikundër qenë marrë, vesh dolën në shesh, edhe pse e dinin se vërtetë vdekjen e kishin më afër se kurrë më parë.

Në fillim, shkijet i plaçkitën të gjithë burrat, por edhe gratë, ndërsa më pas burrat i ndanë dhe i futën nëpër, siç u tha, oda të veçanta. Kishte dhomë që kishte 15 burra, ndonjë kishte dhjetë, e kështu me radhë. Por, kështu, kësaj dite maji, në fakt, Çyshku u shndërrua në një burg të madh.

“Dhe, nuk ka vonuar”, evokon Hazir Berisha, “e janë dëgjuar, fillimisht, të shtënat në shtëpinë e Azem Gashit. Ne nuk e dinim se çfarë po ndodhte atje. Ndërsa, dhjetë minuta më pas ata kanë ardhur te grupi në të cilin gjendesha edhe unë. Ata, fillimisht, u morën diçka vesh ndërmjet veti dhe pastaj na ndanë në dy grupe më të vogla. Njërin grup e nisën përpjetë, ndërsa tjetrin teposhtë fshatit. Atë grupin që shkonte poshtë deshën ta fusin në një shtëpi afër, por njëri nga policët kundërshtoi duke thënë se aty dëgjohej njëfarë kundërmimi. Këtu e kuptuam se e kishin mendjen të na vrisnin që të gjithëve. Bile, bile, ç’ishte më keqja, tashti e kuptuam atë më të trishtën, se këta e kishin ndërmend atë grup ta djegin dhe kjo ishte e llahtarshme… A mund të shihen njerëzit duke u djegur, he burrë!?”, e shtroi këtë pyetje retorike, me  plotë shqetësim, Hazir Berisha nga Çyshku i Pejës.

SI I SHPËTOI VDEKJES HAZIR BERISHA

Pastaj, Haziri rrëfen se edhe grupin e tij shkijet e futën në shtëpinë e Sahit M. Gashit:

“Në dhomë ishim 15 veta. Unë isha i ulur ndërmjet Arian Qaush Lushit dhe Isuf Shalës nga Graboci i Pejës, i strehuar këtu në Çyshk”.

Rrëfim,i i Hazirit është shumë emocional. Ai mbylli, me dhembje të dy sytë, thuaja se dëshiron t’i shlyejë nga mendja pamjet e trishta të asaj dite të mallkuar në këtë fshat të Pejës.

“Përnjëherë shkijet e hapën derën me rrëmbim dhe në derë i zgjatën tytat e armëve të tyre, mitraloz dhe automatikë dhe nisën të shtinë mbi neve pa mëshirë”.

Plumbat, më thotë Haziri, po shponin trupat e shqiptarëve duarthatë të cilët s’kishin faj tjetër veç atij se ishin shqiptarë dhe kishin dëshirë të jetonin pa robëri.

“Ishin tri rafalë të gjata dhe nga krismat nuk më është bërë se kush prej nesh ka lëshuar zë. Asnjë klithmë të vetme. Por, shih çudinë, nga ajo breshëri e pafundme plumbash, asnjë nuk më mori. Mirëpo, unë, atëherë u shtriva përtokë tok me të tjerët dhe nisa të shtirem se kinse isha i vdekur. Mirëpo, kjo nuk qe e tëra, ngase njëri prej shkijeve vrastarë tashti doli në dritaren që gjendet në anën e kundërt dhe nisi të shtijë mbi të vdekurit dhe mbi mua sërish. Tashti, plumbat e parë më morën në këmbën e majtë dhe këtë e përballova disi, por, kur më goditën nën gjurin e këmbës së djathtë, mentë e kresë deshën të më dalin nga dhembja e madhe që ndjeva, ngase plumbat m’i thyen eshtrat e këmbës. Mirëpo, as vetë nuk e di se si, por ia dola t’i shtrëngoj dhëmbët, dhe, më besoni, asnjë zë nga goja nuk lëshova, sado që kjo nuk ishte e tëra, ngase edhe pas kësaj, një shka tjetër, tashti, u fut në dhomë duke shkelur nëpër kufoma dhe nisi të shtijë mbi vdekurit. Por, ja se mrekullia ndodhi edhe njëherë, dhe kur ai m’u afrua mua, me gjasë iu harxhuan fishekët, kështu që u kthye dhe me shkijet  tjerë të uniformuar, doli nga dhoma, por duke e lënë një batanije të ndezur brenda. Pra, qëllimi i tyre ishte që të na digjnin dhe kështu, mbase, të pretendonin ta fshihnin krimin që nuk fshihet dot”, rrëfen tutje Haziri, i cili, ashtu i plagosur, është zvarritur dhe një nga një i ka kontrolluar shokët, për të parë se mos ndonjëri syresh i ka shpëtuar krimit, por më kot, ngase të gjithë, përveç tij, vdekja e mizorishme i gjeti në atë dhomë.

Pastaj, Haziri i afrohet ngadalë dritares për të parë se a kishin shkuar tashmë vrasësit. Mirëpo, ai i vëren ata që po qëndronin aty, fare afër dhe po llafoseshin ndërmjet veti. Atëherë, duke druajtur se ata mund të riktheheshin, Haziri shkon dhe shtrihet tek vendi ku ishte edhe më parë. Dhe, shih çudinë, ende pa u shtrirë krejtësisht mirë, ky tek dera e heton njërin prej shkijeve që hyn brenda dhe e hedh një bombë gazi e tërhiqet pas.

Në këtë çast, mbase vdekja për Hazir Berishën ishte më e ëmbël se gjithçka tjetër. Dhe, sikur thotë edhe vetë: “Thënë të drejtën tashti, në atë çast, sikur ua kisha zilinë të tjerëve që ishin vrarë me kohë dhe s’po e përjetonin këtë që po e përjetoja unë”.

Më pas, Haziri, duke e mbajtur këmbën e djathtë, e cila nuk i funksiononte fare, ngritet dhe del shpejtë nga ajo dhomë e mbushur tym, jo për të shpëtuar, por për t’ia shkurtuar vetes vuajtjet. Sapo del në korridor, dhomën ku gjendej i shtrirë deri pak më parë e përfshin zjarri. Atëherë Haziri futet në dhomën përballë dhe me të shpejtë hidhet nga dritarja e kësaj dhome jashtë. Për çudi, shkijet nuk e hetojnë, ndërsa ajri i pastër, si dhe mundësia që, mbase, mund të shpëtojë, ia rikthejnë një çikë forcën, por mbi të gjitha edhe vullnetin e humbur për të jetuar.

Kështu, ai tërhiqet zvarrë ndonjë 50-60 metra larg shtëpisë ku ishte kryer krimi. Aty, ashtu i shtrirë, i jep vetes ndihmën e parë me rrip dhe me fanellë, me të cilat e lidhë këmbën. Pastaj bën afër dy orë të tjera që të zvarritet më larg, në një pozicion të cilin e konsideronte pak më të sigurt, që të mos hetohet nga kriminelët. Prej kësaj pozite, me sytë e tij e vë re kur, për së gjalli, digjet Çaush Lushi, vetë i dyti. Ndër të djegurit tjerë për së gjalli, që ka mundur t’i evidentojë në memorie Hazir Berisha, ishte edhe Halit Dërvishi dhe miku i tij Emrush Krasniqi nga Vranoci, po ashtu i strehuar në Çyshk.

“Për ta përfunduar trupërisht dhe mizorisht ritualin e tyre vrastar”, evokon Haziri, “kriminelët serbë i tubuan familjet e shumta në oborret e shtëpive të Sahit R. Gashit dhe të Haki A. Gashit që ata, aty, të gjithë tok, t’i shikojnë sa më nga afër skenat e trishta të djegies së të afërmve të tyre.

“ZOTI ËSHTË I MADH”

“Eh, i thënçin ditë pranvere asaj dite të zezë të Kosovës”, ndërhyri plaka Xhenë, e cila, siç duket, e bëri këtë digresion të shkurtër sa për t’i dhënë ca kohë të birit të saj për të pushuar së rrëfyeri për ato gjëra aq të tmerrshme të egërsisë serbe këtu.”Unë i kisha përjetuar edhe dy luftat e shkuara, por sikur kjo s’kam parë. Atë ditë, sapo ishte larguar Haziri (djalin tjetër e dija të vrarë), i tubova nuset dhe fëmijët dhe dolëm në oborr, që vrasësit të mos na gjenin brenda. Nuk mund ta them me fjalë se çfarë më ndjente zemra në ato çaste, por bëhesha e fortë, habitshëm e fortë, që të mos më sheh kush të ligështuar.

Kur mbërrin shkijet në oborr, më pyeten se ku i kisha djemtë. U thashë se s’ishin këtu.

‘Besoj se i keni vrarë!’, u thash.

Këtu, ata, nisën të kërkojnë arin e nuseve dhe, pasi e mblodhën atë, duket se nuk u nginë dhe nisën të lypin edhe para, marka. Njëri prej tyre i mbështeti automatikun për fyti Granitit, vogëlushit të Hazirit, dhe na tha me ashpërsi:

“O markat, o e vrava’’!

Tjetri shka e kishte nxjerrë thikën dhe me të luante rreth kokës së djalit të lemerisur nga frika. I pata në gji 600 marka dhe ua dhashë… Ua dhashë që ta shpëtoja djalin nga bishat. Atëherë më thanë të dilja me të tjerët në rrugë dhe të niseshim për në Shqipëri, ngase atje e kishim vendin.

Jemi nisur në atë rrugë, pa e ditur as nga e as ku do të shkonim. Me ne ishin dhe një bylyk fëmijësh të vegjël. Carrokë, loke. Në fund të fshatit na kanë hipur nëpër traktorë… Me ta na kanë çuar deri tek Fabrika e Baterive. Aty na kanë mbajtur tërë ditën, pa bukë e pa ujë. E shikonim fshatin i cili digjej, ndërsa të shtënat së andejmi s’kishin të ndalur. Diku nga mbrëmja na kthyen në fshat. Shtëpia jonë ishte “rrotulluar” nga shkijet. Rrëmujë. Dy gra nga grupi trupuan arave që të shkonin dhe t’i shihnin shtëpitë e tyre për të parë se a kishte shpëtuar kush gjallë. Ato, pas do kohësh, e sollën Hazirin në shtëpi. E kishin sjellë me një karrocë dore. Ishte duke dhënë shpirt, ashtu i larë në gjak… Nuk kam besuar se do të më shpëtonte djali, por… Zoti është i madh”, thotë plaka derisa sytë i mbushen me lot.

JASHOVIQËT, TË PARËT NË VENDIN E KRIMIT

“Posa u largua nga fshati ekspedita ushtarako-policore serbe”, vazhdon rrëfimin e tij të këputur Hazir Berisha, “duke valuar flamurin e tyre të ndyrë e të përgjakur dhe duke brohoritur ‘Srbija, Srbija…’, sigurisht të stërkënaqur me ‘veprën’ e ndyrë që e kishin bërë kundër popullatës duarthatë, në fshat u rikthyen shkijet e fshatit. Sigurisht, po aq të lumtur sa edhe vetë vrasësit tanë, kishin ardhur këtu që të bënin hesapet e masakrës së madhe. Ndër të parët në fshat kishte mbërritur një Zoran Jashoviqi, një birë kudre, me një femër, e pas tij edhe i vëllai i tij, Vidojën si dhe me dhëndërinë e tyre, Vason.

Ata që i kishin parë Jashoviqët thanë se ishin tejet të lumtur për atë që kishte ndodhur në fshat. Po ende, grave dhe fëmijëve u kishin thënë shkoqur:

‘E po, ja ku e keni NATO-n, he nënën…! ‘

Ndërsa, siç e mora vesh më pas, aksionin vrastar të 14 majit 1999 në Çyshk të Pejës, i cili si pasojë kishte 41 të vrarë, prej të cilëve 35 të djegur, e udhëhoqi një oficer serb i moshës rreth 45 vjeçe. Kishte mjekër bukur të madhe dhe jam i bindur se edhe sot ta shoh do ta njoh menjëherë, ngase fytyra të tilla mizore nuk harrohen kurrë”, më rrëfeu, Hazir Berisha, një prej dëshmitarëve okularë të masakrës së Çyshkut.

Pas tërë kësaj, për Hazirin e plagosur, meqë nuk kishte në fshat mjek për ta kuruar, në fillim u kujdes Hole Alijaj, një vajzë, nxënëse e vitit të parë të shkolës së mjekësisë, ndërsa më pas Pleurat Halili, i cili, po ashtu, ende nuk e kishte mbaruar shkollën e mesme të mjekësisë.

Kështu, pesë javë të vështira, Haziri, ditën fshihej nëpër fusha, duke ndërruar vend, ndërsa natën e kalonte nëpër shtëpi, në dhoma të errëta, gjithmonë i shoqëruar nga Pleurati, i cili, në profesionin e tij fisnik, e kuroi dhe i shpëtoi jetën pacientit të tij të parë, njeriut i cili as vetë, sot e kësaj dite, nuk e di se si i shpëtoi vdekjes së sigurt. Ndërsa kjo, vërtetë, qe dhe mbetet një mrekulli, e tillë çfarë dinë të ndodhin në jetë.

Në mesin e të masakruarve ishte edhe Hasan Çeku, babai i gjeneralit të UÇK-së, Agim Çeku. Atë, serbët e kishin kërkuar që ta gjenin me çdo kusht. Normal, kur nuk mund të ballafaqohen me ushtarakët dhe gjeneral, ata mjaftohen të vrasin pleq e fëmijë. Kjo edhe është e veçanta e karakterit të serbëve vrastar.

Fatkeqësisht, frika e mikut tim B. Luzhës për një masakër të trishtueshme në këto fshatra, u shndërrua në një realitet të dhembshëm. Ndërsa, Liria e Kosovës e ka edhe këtë çmim.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here